Përfundojnë ndeshjet: Malisheva e Drenica fitojnë ndaj Ballkanit dhe Llapit

Kanë përfunduar dy ndeshjet e parapara për sot në kuadër të xhiros së 33-të të BTK Superligës në futboll.

Sport

05/05/2022 17:07

Malisheva ka triumfuar 3-2 ndaj Ballkanit si mysafir, ndërsa Drenica e ka mposhtur Llapin 1-0 në “Bajram Aliu”.
Në ndeshjen Ballkani – Malisheva, ishin mysafirët që e nisën më mirë takimin, duke shënuar dy gola në pjesën e parë me anë të Sobowales dhe Hysenit.

Në pjesën e dytë suharekasit e ngushtuan epërsinë përmes Rrahmanit në minutën e 60’, transmeton lajmi.net.

Malisheva kishte ardhur për fitore dhe këtë e dëshmoi në minutën e 62’ ku Shabani shënoi gol për 3-1.

Krejt çka mundën të bënin të përzgjedhurit e Ilir Dajës ishte goli i ngushtimit të epërsisë me anë të Krasniqit në fund të takimit.

Ndeshja tjetër, Drenica – Llapi, prodhoi pak gola, por një fitore tejet të rëndësishme për skuadrën nga Skenderaji.

Ishte Dervishaj ai që në  minutën e 78’ gjeti rrugën e golit, për t’i dhënë skuadrës së tij një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë. /Lajmi.net/