Përfundoi Samiti i Berlinit – BE e do Ballkanin Perëndimor brenda saj (video)
Përfaqësues të palëve pjesëmarrëse në Samitin e Berlinit dhanë mesazh të përbashkët për integrim sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE. Premtohen 12 miliardë euro ndihma për 6 vjetë.

Lajme
Samiti i Berlinit do të shërbejë për të motivuar shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP) që të intensifikojnë marrëdhëniet në mes tyre.
Kështu u tha në konferencën e përbashkët për media të zhvilluar nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso.
Merkel u shpreh e përkushtuar se Gjermania do të jetë garantues dhe mbështetës i projekteve që do të zhvillohen në rajon.
Ajo tha se fillimi i zbatimit të projekteve të infrastrukturës që lidhin këto shtete, do të përmirësojnë dhe shpeshtojnë raportet në mes të udhëheqësve të tyre.
“Ne dëshirojmë që Ballkani Perëndimor të integrohet në Bashkim Europian. Sigurisht që Gjermania do të angazhohet në këtë aspekt. Sidomos që projektet e infrastrukturës do të përmirësojnë kontaktet në mes të shteteve”.
“Nuk do të takohemi vetëm në këtë ditë jubilar, por çdo vit do të takohemi për të të parë se si do të ecin punët. Ne e kemi dëshmuar këtë në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, për emrin e Maqedonisë etj”.
“Kohëve të fundit janë bërë përparime të dukshme në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas konfliktit të tyre”.
“Kemi zhvilluar bisedime dypalëshe me përfaqësuesit, dhe kemi bërë të qartë se procesi i integrimit të zhvillohet dhe që shtetet pretendente të punojnë në këtë aspekt”.
“Komisionerët e zgjerimit dhe atij të energjetikës, kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në aspektin ekonomik”.
Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë, njëherit kryesuesi i shteteve të rajonit në këtë samit, Edi Rama tha se ndjehet optimist për bashkëpunimin rajonal dhe gatishmërinë e Ballkanit Perëndimor për të nxitur reformat për integrim.
“Të gjithë liderët e rajonit besojmë se dëshira e lidershipit gjerman, është një garanci se konferenca e sotme nuk është fundi por fillimi i një bashkëpunimi në mes të BP dhe BE”.
“Dhe zotimi i kancelarit austriak se vitin e ardhshëm do ta mirëpret këtë konferencë, tregon për jetëgjatësinë e kësaj nisme”.
“Në këtë qastë historik që na mblodhi të gjithëve së bashku për interesa të përbashkët”.
“Ka qenë një moment i rëndësishëm për Ballkanit Perëndimor, pasi që luftërat që janë zhvilluar me vite të tëra, duhet të ndalojnë”.
“Angela Merkel meriton falënderimin më të madh për kontributin që po jep për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor”.
“Ne e shohim BE-në, jo vetëm si sukses por edhe si frymëzim, dhe për të ndërmarr hapat për integrim”.
“Të gjitha vendet e BP sot bashkohen në rrugën e reformave. Por nuk duhet harruar se 100 vjetori i Luftës së Parë botërore, u kalua pa asnjë konflikt ndëretnik, në kohën kur gjatë gjithë botës shihen konflikte”.
“Është pikërisht harmonia fetare arsye që Papa Francesko që viziton Tiranën në shtator, pasi që Shqipëria ka tolerancë ndërfetare. Ky shembull duhet të vlejë edhe për vendet tjera”.
“Ne duhet të punojmë që BE të na sheh si partner të qëndrueshëm, si vende që mund t’i zgjidhin çështjet të tyre në paqe”.
“Unë jam optimist se kemi dhënë hapat e parë për bashkëpunim ekonomik, për të treguar për potencialin ekonomik që ofron rajoni”.
Ndërsa, Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, tha se objektivi i tyre është që t’i shohin vendet e BP në BE. Ai premtoi që KE do të ndihmojë rajonin me 12 miliardë euro.
“Gati 12 miliardë ndihmë është parashikuar për periudhën 2014- 2020, 2 miliardë prej të cilave për projekte rajonale”
“Objektivi i përbashkët është i qartë, duam t’i shohim vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i anëtar të BE-së. Kjo ndikon në stabilitetin rajonal dhe të BE-së. Por kjo varet edhe nga shtetet e BP”.
“Progresi drejtë integrimit është i prekshëm, realist, por edhe hapat e rëndësishëm të bërë nga Serbia, Kosova e Shqipëria. Por duhet të ketë përmirësim të situatës ekonomike shoqërore është thlebësore dhe gjithë kjo është në dorën e shteteve”.
“Bashkëpunimi rajonal do të përshpejtojë integrimin e të gjitha shteteve. Dhe kjo është ajo që shtetet perëndimore po kërkojnë. Ne sot kemi diskutuar se si duhet të kaluar pengesat që ekzistojnë”.
“Ne kemi shprehur gatishmëri për shtim të mbështetjes nga fonde të ndryshme të BE-së, për infrastrukturë, por edhe trajnimin e punëtorëve të gjyqësisë, për të përmirësuar këtë sektor të rëndësishëm”. (Lajmi.net)