Përforcohet Ramadan Muja

PDK në Prizren ka nënshkruar sot marrëveshje koalicioni me AKR’në dhe Ballin Kombëtar për ta mbështetur Ramadan Mujën në balotazhin e 1 dhjetorit kundër Eqrem Kryeziut të LDK’së.

Lajme

16/11/2013 13:20

Ramadan Muja i PDK’së ka marrë mbështetjen e AKR’së dhe Ballit Kombëtar në garën e tij për Kryetar të Komunës në balotazhin e 1 dhjetorit kundër Eqrem Kryeziut të LDK’së.

Sekretari i Përgjithshëm i Degës së PDK’së në Prizren, Nijazi Kryeziu, nënshkrimin e këtij koalicioni e ka vlerësuar të rëndësishëm, raporton Prizrenpress.

“Sot është një ditë e madhe për Prizrenin dhe Partinë Demokratike të Kosovës, sepse me anë të kësaj marrëveshje parazgjedhore në mes PDK-së me Aleancën Kosova e Re dhe Ballin Kombëtar po bashkohen forcat demokratike për Prizrenin Europian dhe vazhdim të bashkëqeverisjes demokratike të Komunës së Prizrenit nga ana e kryetarit Muja, me një program dhe një prosperitet për qytetarët e komunës së Prizrenit”, tha Kryeziu.

Kryetari i AKR’së në Prizren, Naser Bresa, tha ndërkaq se njerëzit e AKR’së kanë shprehur dëshirën që të jenë pjesë e mbështetjes së Kryetarit aktual të Komunës së Prizrenit Ramadan Muja. Sipas tij, Muja gjatë dy mandateve ka qeverisur në të mirë të qytetarëve të Prizrenit.

Në anën tjetër, Kryetari i Ballit Kombëtar, Habib Hebiballari, ka ftuar të gjithë ballistët që me datën 1 dhjetor në balotazh të jenë në mbështetje të Ramadan Mujës, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për t’u përfshirë në bashkëqeverisje në interes të qytetarëve të komunës së Prizrenit.