Përforcimet e Barcelonës

Barcelona pritet të bëjë ndryshime të mëdha në ekip gjatë kësaj vere. Pas përforcimeve që i bëri deri tash, gjiganti katalunas i do edhe tre yje të futbollit evropian.

Sport

23/06/2014 20:00

Barcelona e Luis Enriques do të duket krejt ndryshe sezonin e ardhshëm. Pas sezonit dështues, gjiganti katalunas planifikon të bëjë ndryshime në ekip.

Deri tash kanë arritur portierët Ter Stegen e Bravo, që i zëvendësuan Valdesin e Pinton, ndërsa Rakitic u transferua në vend të Fabregas.

Tash, klubi nga Camp Nou planifikon të përforcohet edhe më shumë në fazën ofanzive.

Së fundmi flitet se Luis Suarez është bërë objektiv i Barcelonës, por interesim për sulmuesin uruguaian ka shprehur edhe Real Madridi, i cili është në avantazh në këtë aspekt.

Por, lojtari i Liverpoolit nuk është objektivi i vetëm i Barçës. Kontaktet tashmë kanë nisur me përfaqësuesit e Kun Agueros, i cili me gjasë dëshiron të largohet nga Manchester City.

Gjithashtu, edhe Marco Reus i Borussia Dortmundit dhe Robin Van Persie i Manchester Unitedit, janë në opsion.

Alternativat e vetme të tyre janë Gonzalo Higuaín e Eden Hazard. Mirëpo, Napoli dhe Chelsea nuk do të heqin dorë lehtë nga yjet e tyre.

Sidoqoftë, duhet ta presim përfundimin e Botërorit, për ta kuptuar më mirë se cilat do të jenë përforcimet zyrtare të gjigantit katalunas.