Përfaqësuesi i partisë së Merkel: Nuk ka pse të refuzohet marrëveshja e ndryshimit të kufirit

Në intervistë për DW, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn, flet për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe dialogun Kosovë-Serbi

Lajme

27/02/2019 13:04

Deutsche Welle: Zoti Hahn, disa ditë më parë, ju patët  një deklaratë për Shqipërinë, ku kritikonit hapin e opozitës për dorëzimin e mandateve. Cilat ishin reagimet që morët nga partia partnere juaj në Shqipëri?

Florian Hahn: Kam marrë disa reagime, por jo direkt nga partia jonë partnere.

Pra, ju nuk keni aspak mirëkuptim për këtë hap të opozitës?

Unë kam mirëkuptim për demonstrata paqësore, për protesta paqësore, por është e gabuar të bojkotohet pikërisht ai vend ku duhet të zhvillohet debati politik në një demokraci, pra, parlamenti.

Por opozita pretendon se nuk mund të kryejë më rolin e saj kontrollues në parlament, se nuk dëshiron t’i shërbejë qeverisë vetëm si fasadë.

Më kujtohet fare mirë, kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe socialistët bojkotonin parlamentin. Unë e kam kritikuar atëherë këtë në të njëjtën mënyrë. Nuk kam asgjë kundër protestave, por parlamenti, si bërthama qenësore e demokracisë, nuk duhet bojkotuar kurrsesi.

Tashmë kjo ka ndodhur. Çfarë do t’u këshillonit ju ndërkohë partnerëve tuaj?

Kjo është një situatë e vështirë: Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Në se ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh.

Por këtë nuk e dëshiron kreu partiak?

Ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Kjo është pyetja tjetër sesi kuptohet demokracia. Janë njerëzit, përfaqësuesit e popullit që janë zgjedhur dhe jo partia, ata që vendosin nëse dikush do ta dorëzojë mandatin apo jo.

Pra, ju nuk keni asnjë këshillë se si duhet të vijohet më tej.

Kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe kam këshillën që mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.

A do të kishte kuptim ndoshta të bëheshin zgjedhje të reja?

E çfarë do të mësonin partitë nëse do të imponoheshin zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga kushtetuta? Ta zëmë se do të kishim kështu një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Ajo do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së? Opozita bën mirë që i shoqëron në mënyrë kritike proceset reformuese. Por jo bojkoti, bojkoti nuk është i përshtatshëm për përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Vitin e kaluar, grupi parlamentar i CDU/CSU-së vendosi disa kushte për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. A ka bërë Shqipëria progres në këto pika?

Në disa aspekte shohim se nuk është bërë asnjë lëvizje, në aspekte të tjera ka përmirësime të mëdha, si për shembull, në procesin e Vettingut. Por situata aktuale, e sidomos bojkotimi i parlamentit është një hap i madh prapa.

Këtë e bëri opozita, po punën e qeverisë si e gjykoni?

Ne e shohim Shqipërinë si një të tërën. Për ne është me rëndësi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj edhe duam që ajo të jetë e qëndrueshme dhe të ndajë me ne vlerat tona demokratike. E këtu ka së paku shumë pikëpyetje.

Ministrja e jashtme e Francës ka thënë këtë javë gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç se ende nuk janë pjekur kushtet në BE për raunde zgjerimi. A nuk është ky sërish një sinjal frenues për Ballkanin Perëndimor?

Nuk e di se çfarë thotë një ministre e jashtme në një bisedë, në të cilën unë nuk kam qenë i pranishëm. Vendimtar do të jetë raporti i progresit të Komisionit, i cili do të bëhet i  njohur më 29 maj të këtij viti. Mbi bazën e këtij progresraporti do të marrim një vendim në Bundestag dhe natyrisht që do të marrim për bazë edhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Tani, në Ballkanin Perëndimor po diskutohet edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. A mendoni se protestat, të cilat sigurisht po ndodhin edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë ndikim mbi këtë proces?

Natyrisht, ne kemi një interes të madh që këtu të arrijmë përparime.  Por shohim se ka aktorë, të cilët janë shumë të interesuar që këtu të mos ketë një rezultat pozitiv. Ne këtu dëshirojmë progres pozitiv.

Progres pozitiv do të thotë edhe ndryshimi i kufijve?

Me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë  për vendin e tyre , atëherë mendoj, se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë.

Ju keni kështu një opinion të ndryshëm nga shumë kolegë të grupit tuaj parlamentar në Bundestag.

Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje.

Po efektet e të ashtuquajturës Kutia e Pandorës?

Ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet menjëhere.

Një fjalë mbi tërheqjen e Partisë Fshatare Kroate nga grupi i PPE-së në shenjë protestë kundër politikave të Orbanit.

Besoj se dorëheqja ka një motivim më të brendshëm. Ajo parti përfaqësohet me vetëm një deputet në PE. Nuk është një humbje thelbësore e madhe për PPE, por, sigurisht, simbolike. E për këtë më vjen keq.

* Florian Hahn (CSU) është që nga viti 2018 zëdhënës i politikave për Evropën në grupin parlamentar CDU / CSU në Bundestagung Gjerman.