Përfaqësuesi i BE-së në Serbi nuk ka kritika për fjalimin e Ramës
Ambasadori Michael Davenport shef i delegacionit të BE-së në Serbi nuk ka thënë asnjë fjalë kritike ndaj fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Beograd, të cilin kryeministri serb Aleksandar Vuçiq e cilësoi si provokim. Ai tha se e rëndësishme është që kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë u takuan pas 68 vjetësh, dhe se dialogu mes Beogradit dhe Tiranës është mirë që të vazhdojë.

Lajme
Davenport në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, theksoi se përgëzon kryeministrin Aleksandër Vuçiq për gatishmërinë e organizimit të vizitës së Ramës në Beograd, transmeton lajmi.net.
Ai tutje ka thënë se shpreson që ky takim është vetëm fillimi i një procesi, ku Serbia dhe Shqipëria, pas 68 viteve lëvizin drejt një bashkëpunimi më të ngushtë që do të ketë efekte pozitive për të dy vendet por edhe për rajonin.
I pyetur për takimin që Vuçiq menjëherë pas vizitës së Ramës, pati me ambasadorët e Kuintit, ku mori pjesë edhe Davenport, ai tha se ishte një takim i rregullt në të cilën u diskutuan disa tema.
“Kryeministri na ka informuar në lidhje me vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, si dhe diskutimet rreth FMN-në dhe shumë tema të tjera me interes për Serbinë dhe komunitetin ndërkombëtar” tha ai.
Davenport gjithashtu mohoi se ai ishte në dijeni në lidhje me pretendimin e kryeministrit Vuçiq se kishte presion ndaj tij nga disa ambasadorë të Perëndimit për të lejuar vëllain e kryeministrit shqiptar Edi Rama që t’i lejohet të ndjekë ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. (lajmi.net)