Perëndimi ‘humb durimin’, gati direktivat për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi

“Veçerenje Novosti” shkruan se shtetet perëndimore janë duke bërë gati direktivat për marrëveshjen përfundimtare Kosovë - Serbi.

Lajme

17/06/2019 09:07

Beogradi dhe Prishtina së shpejti mund të marrin direktivat për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjen e Kosovës nga shtetet perëndimore, shkruan e përditshmja serbe “Veçerenje Novosti”, transmeton lajmi.net.

Sipas saj brenda “kornizës së specifikuar” do të ketë edhe hapësirë për “amandamente” të mundshme. Kjo mënyrë e punës, sipas mendimit të liderëve perëndimore do të përshpejtojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Novosti” shkruan se Samiti në Paris, nëse realizohet, mund të definojë se çfarë përmbajnë rekomandimet.

“Novosti” përkujton se në vitin 2005, Kontakt grupi krijoi tri principe themelore për bisedime në lidhje me statusin e Kosovës, të mos ketë ndarje të Kosovës, të mos ketë kthim të gjendjes para vitit 1999 dhe të mos ketë bashkim të Kosovës me shtetet fqinje, transmeton lajmi.net.

Ish ambasadori i Serbisë në Berlin dhe Vjenë, Milovan Bozhinoviq ka thënë se nga sjellja e akterëve aktualë në procesin negociator mund të thuhet se ekziston dëshira për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare nga të dyja palët.

Me porosinë e fundit nga Shtëpia e Bardhë, Beogradi dhe Prishtina kërkohet të ndalin retorikat ekstreme dhe të punojnë për arritjen e marrëveshjes e cila ka për qëllim “njohjen e ndërsjellë”. /Lajmi.net/