Përdhunimet, turpi i Indisë

Kryeministri indian, Narendra Modi ka thënë të premten se India është turpëruar nga vala e fundit e përdhunimeve të femrave, dhe se prindërit duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e bijve të tyre, t’ua mësojnë atyre dallimin midis të drejtës dhe të gabuarës.

Bota

15/08/2014 16:43

Mondi i bëri këto komente teksa po mbante fjalimin e tij të parë si kryeministër në ditën e pavarësisë së Indisë, raporton BBC.

“Vajzat e reja pyeten gjithmonë nga prindërit se, ‘ku po shkoni’?. Por, a guxojnë prindërit të pyesin djemtë e tyre se ku po shkojnë?. Ata që kryejnë përdhunim janë bijtë e dikujt. Është përgjegjësi e prindërve për t’i ndaluar ata para se të marrin rrugë të keqe”, tha kryeministri indian.

Ai foli për përgjegjësinë shoqërore dhe familjare për dhënien fund përdhunimeve. Ndër të tjera, Modi gjithashtu u bëri thirrje mjekëve për t’i dhënë fund abortit të fetusit nga femrat.

Modi në Ditën e Pavarësisë foli edhe për zhvillimin e ekonomikë të vendit, shëndetësinë dhe arsimin, duke thënë se gjithsecili indianë gjatë mandatit të tij do të arrijë të ketë llogari të kursimeve bankare, nuk do të ketë spitale pa shtretër dhe as shkolla pa tualete.

Kryeqyteti Delhi gjatë fjalimit të tij ka qenë i mbuluar nga një ‘batanije’ sigurie, pasi me mijëra policë dhe ushtarë ishin vendosur në gjendje gatishmërie në të gjithë qytetin.

Por ai nuk e lexoi tekstin që e kishte përgatitur, i tha ato fjalë që i dolën prej gojës,  dhe, për herë të parë në shumë vjet, qe kryeministri që nuk qëndroi prapa një xhami anti-plumb gjatë fjalimit në publik.

Modi, i cili udhëhoqi partinë e tij drejt fitores në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere, iu drejtua kombit nga ‘Kalaja e Kuqe e Shekullit 17’.

Përdhunimet në Indi janë të shpeshta, sidomos në zonat rurale, por ka edhe përdhunime kolektive të femrave, në shenjë ndëshkimi nga ana e fisit, e të cilat polica ende nuk ka arritur t’i parandalojë në atë masë sa që këto krime të mos jenë më tema të ditës në shtetin mbi një miliard banorësh dhe ku diversiteti kulturor dhe social është pothuajse më i madh se sa kudo tjetër në botë.