Përcillen viktimat e fundit të masakrës së Srebrenicës (Video)

19:21 | 9 Korrik 2015

Srebrenica

Familjarë, qytetarë të Sarajevës dhe zyrtarë të shumtë përcollën sot kolonën me eshtrat e 136 viktimave të fundit të identifikuara të masakrës së Srebrenicës.

Kamioni me arkivolet fillimisht u ndal para Presidencës, ku ishin mbledhur disa mijëra qytetarë të Sarajevës dhe një numër i madh familjarësh të viktimave. Në rrugët ku kalonte kamioni u hodhën petale trëndafilash, ndërsa heshtjen e dhimbshme e ndërprenë vetëm vajtimet e të mbledhurve të cilët vendosën lule në kamion dhe u lutën për shpirtrat e të vrarëve.

18 nga 136 viktimat që do të varrosen në Qendrën Memoriale të Potoçarit në Srebrenicë janë të mitur, raporton agjencia “Anadolu”. Mes pjesëmarrësve në përcjelljen e eshtrave ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnjë, Morin Kormak.

“Jam këtu për të përcjellë arkivolet, të nderoj viktimat dhe të tregoj solidaritet me familjet e tyre. Zemra ime është me nënat, sepse edhe vetë jam nënë, dhe me të vërtetë nuk mund as të imagjinoj atë që ata ndjejnë dhe përjetojnë. Është shumë e rëndësishme të njihet dhe të pranohet gjenocidi“, tha ambasadorja.

Të shtunën, më 11 korrik, në Potoçari do të bëhet varrimi i eshtrave në ceremoninë që do të përkujtojë 20-vjetorin e ngjarjes famëkeqe. Në Qendrën Përkujtimore, nga viti 2003 deri tani janë varrosur 6166 viktima si dhe 75 njerëz që nuk janë viktima të gjenocidit, por për të cilën familjet dëshironin të varroseshin pranë të afërmve të tyre.

Në sulmin ndaj “enklavës së mbrojtur të OKB-së” nga njësitë e Ushtrisë së atëhershme të Republikës Srpska nën komandën e të akuzuarit të Hagës, Ratko Mlladiç, u vranë 8372 burra dhe djem boshnjakë.

Dhjetëra mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar u zhvendosën ose kërkuan shpëtim duke u strehuar në pyjet përreth apo duke marrë rrugën për territorin e lirë në rajonin e Tuzllës.