Përçarje e opozitës, Konjufca: LDK po e vonon rrëzimin e qeverisë, Shpend Ahmeti jo-parimor

Lëvizja Vetëvendosje ka shpresuar që do të arrihet një pajtueshmëri në mes partive opozitare për të dërguar në votim mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj të paktën në fund të muajit qershor të këtij viti.

Lajme

12/07/2019 16:14

Kështu ka thënë shefi i deputetëve të kësaj partie, Glauk Konjufca, sipas së cilit, Lidhja Demokratike nuk e ka pasur të njëjtin qëndrim, dhe se nuk dihen arsyet që kjo parti e ka shtyrë procesin e vendosjes së mocionit.

Glauk Konjufca ka thënë se sot janë së paku 64 në Kuvendin e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas tij, nuk ka pse të pritet më meqë janë krijuar kushtet objektive që të ndodhë mocioni.

“Lëvizja Vetëvendosje ka pasur shumë shpresë që do të krijohet një konsensus në mes subjekteve opozitare që mocioni të dilte në votim së paku në fund të qershorit. Ky ka qenë qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka pasur të njëjtin qëndrim, ndoshta kjo lidhet me zgjedhjet e tyre të brendshme, ndoshta me ndonjë proces tjetër për të cilin ju duhet t’i pyesni, nuk jam unë i thirrur të flas për arsyet të cilat e kanë quar LDK-në ta shtyjë mocionin, vendosjen e mocionit në seancë për rrëzimin e Qeverisë. Jam i bindur që nëse i merrni veç e veç qëndrimet e subjekteve politike në Kosovë, sot janë 64 vota më së paku në Kuvend të Kosovës, për rrëzimin e Qeverisë. Nuk po e di çka po presin më, mendoj që janë krijuar kushtet objektive që me ndodh një mocion për rrëzimin e qeverisë në kuvendin e Kosovës”, tha Konjufca.

Sipas tij i vetmi ndryshim është ka ndodhur, është ai i qëndrimit të PSD-së.

Konjufca përmendi deklaratën e kreut të PSD-së, së Shpend Ahmeti, i cili kishte thënë se aty ku voton Lista serbe për rrëzimin e Qeverisë, nuk voton PSD.

“Shpend Ahmetit duhet t’i bëhet vetëm një pyetje, pse paska bo me rrëzu me votat e Listës Serbe, Isa Mustafën, e pse nuk bënë Ramush Haradinajn. Nëse është parimor, dhe nëse e ke vetë më votat e Listës Serbe, atëherë cili është dallimi që të rrëzosh një qeveri paraprake me votat e Listës Serbe, dhe tjetrën jo. Unë mendoj që nuk është të Lista Serbe fare, Shpend Ahmeti nuk e ka fare zorin të votat e Listës Serbe, e ka të rezultatet e sondazheve”, tha ai. /Lajmi.net/