Përçahet opozita, Haradinaj te Presidentja

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka vendosur të shkojë në takimin e nesërm në mes liderëve politikë të Kosovës, të thirrur nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, por jo edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe ai i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Lajme

07/02/2016 14:49

Jahjaga ka nisur ftesat në drejtim të krerëve të Qeverisë për të diskutuar kështu daljen nga kjo krizë politike që ka përfshirë vendin.

Vendimin e Haradinajt e ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj, i cili tha se Haradinaj ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentës Jahjaga.

Në anën tjetër, dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe NISMA, kanë dhënë përgjigje të qartë se nuk do të marrin pjesë në këtë takim.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi tha për KosovaPress se nuk kanë dobi që të marrin pjesë në një takim me dy shkelës të kushtetutës siç është Thaçi e Mustafa, të cilët e kanë humbur legjitimitetin popullor dhe nuk po tërhiqen përkundër shkeljeve që i kanë bërë.

“Në këtë kontekst kemi vendosur që të mos marrim pjesë në këtë takim. Presidentja nuk e ka përfillur as edhe një kërkesë të vetme të opozitës e madje as të mbi 205 mijë qytetarëve, dhe vazhdimisht e ka dënuar opozitën. Sidoqoftë, është vendim i AAK-së që të marrë pjesë dhe ne përkundër faktit që qëndrojmë të bashkuar, kemi dallime si subjekte.

Njëjtë me qëndrimin e Vetëvendosjes e mban edhe Nisma për Kosovën. Bilall Sherifi nga Nisma ka thënë se ka kaluar koha e bisedimeve.

Ndërkohë, në takimin e nesërm që fillon në ora 09:00, e kanë konfirmuar edhe dy partnerët e koalicionit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi.

Në takimin e nesërm mes liderëve politikë të Kosovës, të thirrur nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, do të marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Për KosovaPress, zëdhënësi i ambasadës amerikane, Philip Drewry, konfirmoi se ambasadori Delaëie ësht ë pajtuar që të marrë pjesë në këtë takim.

“Ambasadori është pajtuar që të marrë pjesë në këtë takim të thirrur nga presidentja, si dhe mbështet përpjekjet e saj që të ndihmojë partitë politike të gjejnë gjuhën e përbashkët”, tha Dreëry.

Në ftesën e Jahjagës thuhet”…..ju ftoj në takim të përbashkët të të gjitha subjekteve politike parlamentare për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend. Takimi do të mbahet të hënën, më 8 shkurt, në orën 09:00 në zyren e Presidentes së Republikës së Kosovës”.

Ndërkohë, shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, e ka lëvduar Presidenten Atifete Jahjaga për iniciativën e saj që t’i takojë liderët e partive politike në vend. Ai ka kërkuar nga këta të fundit që t’i përgjigjen ftesës së presidentes për takim. /KosovaPress