Përçahen “Shtegtarët e Lirë”

Grupi “Shtegtarët e Lirë”, që u nis nga Gjilani këmbë për në Bruksel, me qëllim të lobimit për liberalizimin e vizave, ka ngecur në Kroaci. Kryesuesi i këtij grupi, Ekrem Avdija, i cili është kthyer në Kosovë, po akuzohet nga anëtarët e tjerë të grupit se ka marrë të gjitha paratë e siguruara për këtë udhëtim.

Lajme

13/05/2014 21:23

Ata ishin nisur nga Gjilani me 3 mijë euro në xhirollogari dhe gjatë udhëtimit MKRS-ja ju ka dhënë edhe 1 mijë e 500 euro.

Njëri nga anëtarët e grupit, Jahi Mustafa, i cili gjendet në Kroaci, thotë se nuk kanë asnjë cent në xhirollogari dhe se Avdija i ka marrë ato para. Ai thotë se ata do të vazhdojnë rrugën e tyre edhe pa para dhe pa kryesuesin.

“Sigurisht që i ka tërhequr. Ministria e Kulturës deklaron që i ka deponuar, kurse ato mjete nuk janë në konto. Gjendja e llogarisë është zero”.

“Kodi i moralit thotë se nëse më shumë se tre ditë mungon ndonjër anëtar, ai shpallet si i kthyer”.

Ndërkaq, Ekrem Avdija thotë se anëtarët e grupit nuk mund ta përjashtojnë atë nga grupi pasi ai është nismëtari i këtij udhëtimi.

“Në qoftë se këta njerëz kështu merren me këto akuza është e keqe jo vetëm për mua por është e keqe edhe për gjithë Kosovën”.

 “Nuk po e kuptoj se me çfarë të drejte më akuzojnë kur unë jam iniciatori i këtij udhëtimi dhe unë i kam përgatitur të gjitha planet dhe i kam marrë të gjithë ata në grup”, tha Avdija.

Klan Kosova merr vesh se përçarjet në këtë grup kanë filluar pasi që disa anëtarë të grupit nuk kanë pranuar që i gjithë udhëtimi deri në Bruksel të zhvillohet këmbë. Po ashtu, Ekrem Avdija do të ketë problem të udhëtojë, sepse ai nuk ka vizë, si dhe shkaku i problemeve në zemër që i janë shfaqur gjatë këtij shtegtimi.