Përballja për PTK’në
Kuvendi i Kosovës do ta ketë sot si pikën e parë të rendit të ditës privatizimin e PTK’së. VV është shprehur kategorikisht kundër këtij procesi, të cilin e quan antiligjor dhe të papranueshëm. LDK, ndërkaq, pritet ta bojkotojë seancën.
Lajme
Votimi i Raportit të Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75% të aksioneve të PTK’së është pika e pare e rendit të ditës, sot, në Kuvendin e Kosovës.
Para seancës, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme, që në fokus thuhet ta ketë pikërisht çështjen e privatizimit të PTK’së.
Siç merr vesh lajmi.net, LDK pritet ta bojkotojë seancën. Vendimi, siç pohohet, është marrë në mbledhjen e Kryesisë së LDK’së.
Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq, vazhdon kundërshtimin e saj ndaj procesit të privatizimit të PTK’së, duke e konsideruar procesin të jashtëligjshëm, të dëmshëm dhe të papranueshëm.
Një ditë para seancës, Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate, ka thënë se do të angazhohet që të mos lejojë procedimin e mëtejmë të kësaj pike në Kuvend.
“Ky procedim i privatizimit në të cilin po insiston Qeveria është në kundërshtim me procedurën e sanksionuar me Ligjin për Ndërmarrjet Publike i cili qartazi e thotë se Qeveria ka të drejtë të privatizojë një ndërmarrje publike apo të shes aksione të një ndërmarrjeje publike vetëm pasi një vendim i tillë është miratuar paraprakisht nga Kuvendi”.
“Një vendim të tillë paraprak të miratuar nga Kuvendi për privatizimin e PTK’së nuk ka. I tërë procesi i deritashëm i tenderimit dhe i shpalljes së kompanisë fituese ka qenë ilegal. Dhe tash, prapë në kundërshtim me ligjin, qeveria po synon ta legalizojë një proces ilegal të udhëhequr nga ajo. Dhe këtë po e bën me pakicën e votës popullore”.