Për uniformat fetare

Ata që reduktojnë lirinë fetare në një pikë të vetme – uniformën fetare në shkolla fillore dhe të mesme, realisht nuk janë shumicë në këtë vend dhe duhet të mësojnë se Shteti dhe Kushtetuta janë mbi libra fetarë.

Opinion

09/11/2013 17:14

Kandidati për karrigen e të parit të Gjilanit, Lutfi Haziri, nuk është ndër politikanët konservatorë të Kosovës. Edhe rajoni i Anamoravës është relativisht mendjehapur dhe në kontakt me Europën, për shkak të diasporës së madhe. Ja që në këtë kohë fushate, z. Haziri deklaroi se përkrah lejimin e veshjeve fetare për vajza në shkolla fillore.

Nuk dëshiroj të hy në polemikë me z. Haziri, por deklarata e tij bëri bujë, siç rëndom edhe bëjnë deklaratat që kanë të bëjnë me këtë temë. Në rrjete sociale dhe portale mediash, tema e shamisë dhe fesë siguron shumë klikime, shumë komente, e fatkeqësisht bëhet edhe platformë për kërcënime, sharje, ofendime dhe gjuhë të urrejtjes.

Duke rrezikuar që edhe në fund të këtij shkrimi përsëri të gjenerohen komente ofenduese, megjithatë kemi obligim që t’i përsërisim ca fakte ligjore dhe politike. Janë fare të thjeshta:

Në Republikën e Kosovës tash e disa vite është në fuqi një vendim ose udhëzim administrativ i lëshuar nga Ministria e Arsimit 1, i cili përshkruan se si duhet të vishen nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Aty ndalohen veshjet fetare, përfshirë shaminë mbi kokë. Kjo ndalesë është valide vetëm për shkolla fillore dhe të mesme. Në universitete dhe vende të punës kjo ndalesë nuk ekziston. Përkrahësit e veshjeve fetare në shkolla thonë se ky udhëzim administrativ është thyerje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që e njëjta garanton shprehjen e lirë të fesë. Ata, po ashtu, thonë se kjo është edhe në kundërshti me normat europiane.

Janë tri elemente të thjeshta të cilat qartësojnë debatin ligjor dhe kushtetues.

1. Rruga ligjore e sfidimit të Udhëzimit Administrativ MASHT 7/09

E para, në Republikën e Kosovës vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtën supreme dhe të pakontestueshme të tregojë se çka është e çka nuk është konform Kushtetutës, i pëlqeu kjo apo jo Qeverisë, Presidentit, Parlamentit, ose bashkësive fetare. Askush tjetër nuk është i thirrur të japë vlerësime se çka është kushtetuese e çka jo. Mund të kemi debat medial ose shoqëror, por vendim final dhe të pakontestueshëm jep vetëm Gjykata Kushtetuese.

Duke u nisur nga kjo ndalesë, deri më tani ka pasur vetëm një rast të vetëm në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës rreth shamive.

Nxënësja Arjeta Halimi e ka paditur Drejtorinë Komunale për Arsim të Vitisë, tek Gjykata Supreme e Kosovës, për shkak të pamundësisë së saj të vijojë mësimin me veshje fetare. Gjykata Supreme e ka dërguar rastin në Gjykatën e Qarkut të Gjilanit si kompetente, ndërsa kjo e fundit i ka dhënë të drejtë zonjushës Halimi. Megjithatë, Drejtorati për Arsim nuk e ka zbatuar vendimin, ndërsa nxënësja e ka dërguar rastin në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Shkolla është përgjigjur se nuk është ndaluar pjesëmarrja e nxënëses, se ajo thjesht është udhëzuar se duhet ta veshë të njëjtën uniformë si të gjithë nxënësit tjerë konfor aktit nënligjor, ndërsa nxënësja e ka lënë shkollën me vëtëdëshirë dhe nuk është paraqitur as në provimet e vitit të fundit.

Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një vendim interesant dhe mjaft të thellë prej 13 faqeve.

Kushtetuesja e ka konsideruar se padia e nxënëses është e papranueshme, edhe atë për dy arsye. E para, është se nxënësja nuk i ka shterrur të gjitha rrugët tjera të disponueshme ligjore. Pra, Gjykata së cilës është dashur t’i drejtohet nxënësja, përkatësisht përfaqësuesit e saj ligjorë të financuar nga një OJQ, është Gjykata Komunale në Viti. Gjykata në Viti ka vërtetuar se nxënësja kurrë nuk ka bërë kërkesë për këtë rast.

Gjykata Kushtetuese nuk është bindur nga përfaqësuesit ligjorë të nxënëses. Ajo ka dhënë disa pika të rëndësishme.

Fillimisht Pika 72: “Gjykata Kushtetuese nuk është e bindur me argumentin e parashtrueses së kërkesës se asaj i është ndaluar vijimi në shkollën “Kuvendi i Lezhës”. Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës, më 15 janar 2009, e ka ndërprerë vijimin e shkollimit në shkollën e saj në bazë të një “vërejtje gojore”. Vetëm pas tre muajsh, më 15 prill 2009, ajo iu drejtua një organi shtetëror relevant, DKA’së.”

Pastaj Pika 75: “Në të vërtetë, faktet e rastit që janë paraqitur nga ana e parashtrueses së kërkesës në Gjykatën Kushtetuese “në asnjë mënyrë nuk e arsyetojnë pretendimin për shkeljen e një të drejte kushtetuese” në kundërshtim me rregullin 36.2 (b) dhe (c) të Rregullores së Punës.”

Tutje vjen edhe pika shumë kritike e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e që është Pika 76, e cila i referohet në disa paragrafë të zgjeruar aktgjykimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Dogru kundër Francës (Kërkesa Nr. 27058/05).

Referencat e qarta në Vendimin e Gjykatës më të lartë kosovare thonë: “Pluralizmi dhe demokracia mund të bazohen në dialog dhe në një frymë të kompromisit të domosdoshëm që kërkon koncesione të ndryshme nga individët që arsyetohen me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të idealeve dhe vlerave të një shoqërie demokratike.”

Dhe, po ashtu, konkludojnë se “Gjykata do të përsërisë që Shteti mund të kufizojë lirinë për manifestim të fesë, për shembull të veshjes së shamisë islame, nëse ushtrimi i asaj lirie është në kundërshtim me qëllimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve, rendin publik dhe sigurinë publike (shih Leyla Sahin, të cituar me lart, § 111, dhe Rejah Partisi (Partia e Mirëqenies) dhe të tjerët kundër Turqisë [Gel, nos.41340/98, 41342/98, 41343/98 dhe 41344/98, § 92, ECHR 2003-1I).

Tek vendimi i cituar i GJEDNJ po ashtu thuhet se “Me tutje, Gjykata vëren se sipas burimeve të ndryshme, bartja e shenjave fetare nuk është qenësisht në mospërputhje me parimin e laicizmit në shkolla, por është bërë ashtu në bazë të kushteve në të cilat janë bartur dhe pasojat që bartja e shenjës mund të shkaktojë.”

Përfundimisht referenca e fundit ligjore në pikën 76 është edhe ky paragraf i GJEDNJ:

“Po ashtu, Gjykata vëren që në Francë, si dhe në Turqi dhe Zvicër, laicizmi është parim kushtetues dhe një parim themelues i Republikës, i respektuar nga e gjithë popullata dhe mbrojtja e të cilit është e rëndësisë primare, në veçanti në shkolla. Gjykata përsërit që një qëndrim që nuk respekton atë parim nuk do të pranohet domosdoshmërisht si mbulesë për lirinë e manifestimit të fesë dhe nuk do të gëzojë mbrojtjen nga konventat europiane për të drejtat e njeriut”.

Në pikën 78 GJKRK vendos: “Rrjedhimisht, bazuar në të gjitha arsyet e lartpërmendura, kërkesa e parashtrueses duhet të shpallet e papranueshme në pajtim me rregullin 36 të Rregullores së Punës.”

Pra, pretendimi i OJQ’së që ka përfaqësuar nxënësen konsiderohet i papranueshëm për shkak të dy arsyeve: E para se nuk janë shterrur të gjitha rrugët tjera gjyqësore, dhe e dyta se parimi i laicizmit në Kushtetutën e Kosovës lejon që të bëhet ndalesa e uniformave fetare dhe se kjo ndalesë nuk është thyerje e të drejtave të njeriut sepse ashtu ka vendosur disa herë tashmë edhe Gjykata më e Lartë Europiane.

2. Rruga parlamentare e sfidimit

Duke marrë parasysh se ky rast i vetëm gjyqësor nuk e ka gjetur përgjigjen që kanë kërkuar përkrahësit e shamive për shkolla fillore dhe të mesme, është bërë një tentative të sigurohen votat në Parlament edhe atë me rastin e votimit të Ligjit për Arsim. Realisht, edhe me këtë rast, Kuvendi i Republikës së Kosovës me një shumicë votash ka refuzuar amandamentin e propozuar nga Partia e Drejtësisë me të cilën do të lejohej uniforma shkollore si dhe mësim-besimi në shkolla.

3. Rruga ndër-institucionale

Duke marrë parasysh që edhe Gjykata edhe Parlamenti kanë refuzuar me vendime mjaft të qarta dhe pa ambiguitete të lejojnë bartjen e shamisë në shkolla fillore dhe të mesme, atëherë Kryeministri e ka krijuar edhe një Komision për Liritë Fetare që do të jepte një rekomandim se si janë praktikat më të mira europiane për këtë çështje.

Komisioni nuk e ka përfunduar punën dhe nuk do ta përfundojë punën kurrë nëse nuk konsultohet me të gjithë aktorët lokalë edhe ndërkombëtarë për këtë çështje, përfshirë shoqatat për të drejtat gjinore, Gjykatën Kushtetuese dhe bashkësitë fetare.

Në Europë nuk ekziston një model për çështjen e shamive dhe dokumenti më i plotë që përshkruan politikat e BE’së në këtë çështje është dokumenti i quajtur “Eu Guidelines on promotion and protection of freedom of religion” i aprovuar me 2013. Edhe ky dokument e qartëson se shtetet anëtare kanë të drejtë të kufizojnë manifestimin dhe shprehjen fetare nëse kjo është konform ligjit të shtetit anëtar.

Duke marrë parasysh se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës tashmë ka marrë vendim pa ekuivok se limitimi i veshjeve fetare në shkolla fillore dhe të mesme është konform parimit fundamental kushtetues, siç shkruhet në pikën 78 të GJKRK në rastin KI 36/11 të nxënëses nga Vitia: “Gjykata rikujton qe neni 8 i Kushtetutës e përcakton Republikën e Kosovës si një shtet laik dhe parasheh si vijon: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.”

Prandaj, si qëndron sot për sot puna, Lutfi Haziri edhe po të fitojë si Kryetar i Komunës, nuk munde të ndryshojë send sa i përket lejimit të bartjes e uniformave fetare. Për më shumë, nëse MASHT e ndryshon udhëzimin administrativ dhe lejon bartjen e uniformes fetare, palë të ndryshme mund ta padisin MASHT për thyerje të parimit të laicizmit dhe është krejtësisht e qartë se GJKRK duke u nisur nga Kushtetuta mund ta zhvleftësojë ndonjë vendim të tillë të MASHT.

E vetmja rrugë për ndryshimin e këtij vendimi, pra, mbetet të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që bëhet me 2/3 e votave, e cila e definon Kosovën si shtet laik ose të shpresohet që ndonjë përbërje tjetër e GJKRK do ta ndryshojë mendimin pas ndonjë procesi të rregullt. Deri më tani, asnjë nxënëse nuk ka iniciuar asnjë proces tjetër në gjykata, kështu që momentalisht edhe kjo rrugë është afatgjate.

Ata që pretendojnë që me forma tjera si dhuna verbale ose fizike, kërcënimet, sharjet, ofendimet, vetëviktimizimet, të ndryshojnë Kushtetutën e Republikës, e cila u votua me një shumicë absolute si kompromis konsensual mbarë-shoqëror, janë thyes të rendit kushtetues dhe Prokurori, Policia dhe Gjykatat duhet të marrin masa të duhura që të parandalojnë tentativën e tillë.

Tentativa e Muftiut apo Ipeshkvit të merren më çështje kushtetuese, çështje të politikës së jashtme ose të brendshme, duhet të refuzohet krejtësisht edhe me një vërejtje të madhe se shteti KURRË nuk do ta lejojë që një bashkësi fetare të luajë rol direkt në sistemin politik.

Rol politik në këtë shtet dhe në cilindo shtet europian kanë vetëm ata që fitojnë vota, ndërsa rolin suprem ligjor e ka Gjykata Kushtetuese.

Kosova kurrë në histori të vet nuk ka pasur më shumë objekte fetare. Kosova kurrë në histori të vet s’ka pasur më shumë organizata fetare. Kosova kurrë në histori të vet s’ka pasur më shumë botime dhe televizione fetare. Kosovarët kurrë në histori të vet nuk kanë pasur liri më të mëdha fetare se sot.

Ata që reduktojnë lirinë fetare në një pikë të vetme – uniformën fetare në shkolla fillore dhe të mesme, realisht nuk janë shumicë në këtë vend dhe duhet të mësojnë se Shteti dhe Kushtetuta janë mbi libra fetarë – sa i përket asaj se kush definon se çka është liri e garantuar e çka jo, e çka është obligim ligjor e çka jo.

1Udhezimi Administrativ te MASHT-it Nr. 7/2009

 

(Autori është ZëvendësMinistër i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Anëtar i Komisionit Shtetëror për Liritë Fetare. Ky shkrim paraqet qëndrimet personale të autorit dhe është shkruar enkas për lajmi.net)