Për Testin Europian
Kryeministri Thaçi ka besim se zgjedhjet lokale do të përmbyllen me sukses dhe kështu Kosova ta kalojë testin e saj europian.

Lajme
Kryeministri Hashim Thaçi sot deklaroi se pas zgjedhjeve Qeveria e Kosovës do të fillojë menjëherë bashkëpunimin me serbët e zgjedhur në veri për t’i rritur investimet shtetërore në atë pjesë.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Kryeministri i Kosovës foli edhe për pritjet e tij nga ky proces.
“Qeveria e Kosovës do të fillojë menjëherë bashkëpunimin e ngushtë që të kemi investime edhe në atë pjesë të Kosovës, në mënyrë që të krijojmë kushte si dhe rrethana shumë të mira për të gjithë qytetarët kudo që jetojnë në Kosovë, në Kosovën e re, në Kosovën evropiane”.
Kryeministri Thaçi tha se këto zgjedhje janë test evropian për Kosovën.
“Jemi me besim të plotë që ky proces do të përmbyllet shumë mirë dhe Kosova do ta kalojë testin europian, ku dhe serbët në veri do të marrin pjesë në zgjedhje, do t’i zgjedhin liderët e tyre legjitimë”.
“Natyrisht hapësira kushtetuese dhe ligjore që na jep angazhimi, por ne i kemi dhënë një kuptim të plotë fushatës elektorale një gjallëri dhe energji, natyrisht duke përfshirë të gjithë spektrin politik kosovar për organizimin e zgjedhjeve fer te lira, demokratike, të konkurrencës, me gjithëpërfshirje dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
Thaçi përgëzoi kabinetin qeveritar për fokusimin e tyre në punët ditore të Qeverisë, “duke mos u ndikuar fare nga zgjedhjet lokale”.