Për shtatë muaj Kuvendi miratoi vetëm 26 ligje

Gjatë shtatë muajve të kaluar Kuvendi i Kosovës ka përmbushur vetëm 26 për qind të normës legjislative, duke arritur t’i miratojë 26 ligje nga 100 sa ka planifikuar Qeveria e Kosovës në agjendën e saj.

Lajme

09/08/2015 12:03

Për këtë neglizhencë, në Kuvend fajin ia hedhin ekzekutivit që është treguar shumë i ngathët në furnizimin me projektligje, ndërkaq shoqëria civile thotë se Kuvendi në sesionin pranveror më shumë është marrë me çështjet e tjera sesa me miratimin e ligjeve.

Megjithatë, nga Janari deri më 3 Gusht, kur edhe u miratuan ndryshimet kushtuese dhe ligjet për Gjykatën Speciale, legjislatura e pestë e Kuvendit ka mbajtur 27 seanca plenare në të cilat ka miratuar 26 ligje, ndërsa në bazë të Planit të Punës së Kuvendit për vitin 2015 kanë mbetur edhe 75 ligje për t’u miratuar.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile Kuvendin e pret punë e madhe në sesionin vjeshtor, pasi vlerësohet se me urgjencë duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, po ashtu duhet të kërkohet raportim i Qeverisë për Dialogun me Serbinë, për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. (Zëri)