“Për sfidën kundër Anglisë, një person mund t’i blejë vetëm dy bileta”

Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur të bëjë një ndryshim në shitjen e biletave për ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2020, për të ulur pakënaqësinë e madhe të tifozëve.

Sport

17/10/2019 14:45

Kombëtarja e Kosovës më 14 nëntor në ‘Fadil Vokrri’ mbyll kampanjën kualifikuese për Euro 2020, duke pritur Kombëtaren e Anglisë.

Me Kosovën që vazhdon të ëndërrojë një vend që dërgon në Kampionatin Evropian, dhe me Anglinë që në nëntor vjen në Prishtinë, ka bërë që interesimi i tifozëve për të ndjekur këtë ndeshje nga afër, të jetë shumë më i madh.

Për t’iu mundësuar sa më shumë personave që të jenë në ‘Fadil Vokrri’ atë natë të paharruar nëntori, Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur të ulë numrin e biletave maksimale që një person mund të blejë, nga tre, në dy.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Në tentim për t’u dhënë mundësi sa më shumë njerëzve të shikojnë ndeshjen nga stadiumi Fadil Vokrri, ne kemi vendosur që një person mund t’i blejë në maksimum dy bileta dhe jo tri si deri tani”, ka deklaruar Ademi për lajmi.net.

Kapaciteti i vogël i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe kërkesat e mëdha për të ndjekur nga afër Kosovën, ka bërë që përgjatë kësaj kohe, të ketë gjithmonë ankesa të mëdha nga tifozët, që nuk kanë arritur të pajisjen me bileta./Lajmi.bet/