Për Prishtinën e Fortë

Kryetar i Prishtinës, Kryeministër, pastaj edhe President i Kosovës. Kjo është trajektorja që ia ka dizajnuar vetes Visar Arifaj. Ai rrëfen, në intervistë për lajmi.net, pse mund të jesh edhe “lexhendar” edhe i gjallë. Në të njëjtën kohë.

Lajme

25/10/2013 06:25

Gara elektorale pa të, do të ishte tepër e butë. Kandidatët që synojnë Kryeqytetin, betejën do ta kishin jashtëzakonisht më të lehtë. Dhe, natyrisht, kuptimi i zgjedhjeve do të ishte shumë i zbehtë.

Por, gjithçka është vështirësuar kur në skenë ka hyrë Partia e Fortë me Kryetarin e saj Lexhendar.

Prishtina me të, kuptohet, do të jetë e fortë.

Mirëpo, për Visar Arifajn, 120 përqindëshi i votave që do t’i marrë në Prishtinë më 3 nëntor nuk do të jetë fundi i ambicieve të tij. Në të vërtetë, ky moment lexhendar për të do të shënojë vetëm fillimin.

Për arsye që nuk varen nga ai, Arifaj nuk mund të shkojë qysh tani aty ku ai pretendon.

Prindërit e kanë lindur 26 vjet më parë dhe dispozitat aktuale kushtetuese ia diktojnë atij që të presë edhe 9 vjet për t’u bërë President i Kosovës.

Në ndërkohë, mendon se mund t’i japë kontribut vendit me dy poste më minore të cilat synon t’i kryejë gjatë rrugës deri në Presidencë. Së pari Komuna, pastaj Kryeministria.

Si Kryekomunar, i ka projektet për gjithçka.

E kur të bëhet Kryeministër, po ashtu, e ka planin për vete: do ta heqë atë dispozitë të mallkuar që të mos e kufizojë me moshë mbajtjen e postit të Presidentit.

“Në bazë të Kushtetutës parashihet që për të kandiduar për President duhet t’i kesh së paku 35 vjet, kështu që plani ynë është që fillimisht të marrim Qeverinë, në atë mënyrë mund t’i kemi kompetencat për ta ndërruar Kushtetutën. Dhe, pasi që ta ndërrojmë këtë nen që e përcakton moshën, atëherë do të mund të bëhem edhe President”, thotë Kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, në intervistë për lajmi.net, dhjetë ditë para se të testohet për herë të parë me votën e popullit.

Normalisht, pyetja “Pse mendon se duhet të jesh Kryetar i Prishtinës”, është e pavend për të.

“Zakonisht, ne nuk pyesim se përse lind dielli ose përse ka gravitet. Janë këto pyetje që vetëm ata që janë kuriozë mund t’i gjejnë. Ne të tjerët i marrim si të qena dhe ashtu vazhdojmë. Kurse edhe arsyeja se përse unë duhet të jem Kryetar i Prishtinës është në njëfarë mënyre e qartë dhe nuk ka arsye që ta diskutojmë”.

Kur përdor e ironinë pak më shumë, Arifaj është ky:

“Prishtina sot është një qendër kulturore, ku të rinjtë mund të kalojnë jetën e tyre në optimumin e mundësive që i kanë ata për t’u zhvilluar… Është një vend i mundësive. Çfarëdo që një njeri mund të kërkojë nga një qytet, ato mund t’i gjejë në Prishtinë”.

Ai ka vizion konkret për Kryeqytetin. Në përgjithësi, është – jeta më e mirë.

“Sipas pritjeve tona, Prishtina duhet të jetë një Kryeqytet i kulturës, një vend kur rinia mund ta gjejë veten, qoftë për t’u edukuar apo për t’u argëtuar, mundësi të arsimit, pra një vend që i ofron mundësi çdo qytetari që ta gjejë vetën në të”.

Deri sot ai është marrë me të gjithë: ka përuruar projekte të Isa Mustafës, ka luajtur rolin e Hashim Thaçit me moton e tij “A ki me dalë… edhe”, ka lexuar librin e tij “të preferuar” të shkruar nga Behxhet Pacolli, si dhe i është përgjigjur pozitivisht apelit të Vetëvendosje’s për të dhënë kontribut financiar për fushatën e kësaj partie.

Të gjitha këto parti kanë kandidatë në garën për Prishtinën.

“Unë nuk kam diçka më shumë se të tjerët. E kam thënë edhe më herët, nuk dallojmë nga kandidatët tjerë. Ajo që më karakterizon mua më së shumti është se unë ngjasoj me të gjithë kandidatët e tjerë, apo politikanët e tjerë. Besoj që kjo është veçoria që më së shumti më dallon mua”.

“Me Kryetarin aktual kemi shumë gjëra të përbashkëta. Që të dy jemi Kryetarë të Partisë dhe kandidojmë për Kryetar të Komunës, të dy kemi ambicie që vitin e ardhshëm të bëhemi Kryeministër”.

Epiteti “Lexhendar” nuk vjen vetëm “post mortem”.

“Për të qenë legjendar, nuk duhet detyrimisht të jesh edhe i vdekur, kjo tregon shkallën e rëndësisë në shoqëri. Besoj që jo vetëm brenda partisë, por edhe qytetarët tjerë janë të vetëdijshëm për veprat, të bëmat e mija dhe meritat që i kam për këtë vend, kështu që nuk ma merr mendja që është diskutabile për këtë titull. Kushdo që do të ishte Kryetar i Partisë së Fortë, do të kishte këtë epitet, pasi që një parti e këtij kalibri, detyrimisht do të duhet të kishte edhe një Kryetar Lexhendar”.

“Ne i çmojmë të gjithë kandidatët të cilët marrin pjesë në këtë garë, sado që parashikimet tregojnë që ne do t’i marrim 120 për qind të votave. Ne edhe më herët kemi thënë që ata nuk janë kundërshtarët tanë, ata janë pjesë e Partisë së Fortë. Mirëpo, ata tregojnë perspektiva tjera që manifestohen edhe me partitë tjera”, thotë lexhendari Visar Arifaj për lajmi.net.