Për PDK, mbyllja e shkollave nga Shpend Ahmeti është vendim politik

Lirak Çelaj thotë se vendimi i Komunës së Prishtinës për ndërprerjen e mësimit ka motive politike, e cila ndërlidhet me protestat e ditës së premte. Sipas tij, nuk është hera e parë që Ahmeti po e përdor Komunën për të bërë opozitë në nivel qendror.

Lajme

08/02/2014 12:07

Dega e PDK`së në Prishtinë është shprehur e shqetësuar pas vendimit të djeshëm të Komunës për ndërprerjen e mësimit nëpër institucionet shkollore.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka marrë vendim të premten për ndërprerjen e mësimit në disa shkolla të kryeqytetit, për shkak e se analizat e bëra në lëndët djegëse për ngrohje, kanë dhënë rezultate që përmbajnë sasi më të madhe të sulfurit mbi normën e lejuar.

Por, shefi i Degës së PDK’së në kryeqytet, Lirak Çelaj, në një konferencë për media është shprehur se vendimi i Kryetari Ahmeti ka të bëjë me motive politike, e cila sipas tij, ndërlidhet me protestat e djeshme.

“Duam të shprehim një shqetësim lidhur me ndërprerjen e mësimit që është bërë nga Komuna e Prishtinës dje. Ne kemi dyshime të bazuara, të cilat argumente do t`i shpalosim edhe para jush që motivi pse është ndërprerë mësimi është kryekëput politik që ndërlidhet me protestat e djeshme”.

“Konsiderojmë që është bërë në mënyrë të një anshme dhe është bërë në ora 12 dhe që është shumë sugjestive pse është bërë në atë kohë”.

“Nëse shkalla është aq e rrezikshme për ta ndërprerë mësimin nuk është dashur që të pritet reagimi i prindërve por të ndërpritet menjëherë para shumë ditësh, kur dolën këto rezultate. Konsiderojmë që është shumë e rrezikshme që nxënësit të manipulohen sidomos me çështje si a jo e dje. Unë mendoj se shkolla nuk duhet të futet në mesin e politikës ditore”.

“Kryetari Shpend Ahmeti nuk është hera e parë që po e përdorë Komunën si mjet për të bërë opozitë për nivel qendror. Ju e dini që sivjet janë zgjedhjet qendrore dhe po e përdor Komunën e Prishtinës për të bërë opozitë për të rritur pakënaqësi tek qytetarët”.

“Ne mendojmë se të njëjtin gabim e ka bërë edhe z. Isa Mustafa gjatë mandatit të kaluar dhe është gabim të cilin nuk duhet ta përsëris Komuna e Prishtinës. Ne konsiderojmë që me këtë po manipulohet rinia dhe kjo është shumë e dëmshme” ka thënë Lirak Çelaj.

PDK është në opozitë në Asamblenë Komunale të Prishtinës.