Për një gomar (transportues droge) në Shqipëri paguhen 1,000 euro

Mediat greke kanë publikuar foto nga kamerat termike të policisë kufitare, të cilat kanë fiksuar momente kur trafikantë shqiptarë kalojnë kufirin duke transportuar me krahë, apo dhe me kafshë sasi të mëdha marihuane.

Lajme

11/06/2014 19:24

Ora News thotë se një gazetë greke shkruan se prodhimi dhe trafikimi i hashashit nga Lazarati është shumë i madh. Lazaratasit kanë “ndërtuar” kartele të drogës, të cilat promovojnë hashashin në Greqi, Itali, Holandë, dhe destinacione të tjera europiane, duke shkaktuar kështu përgjatë kufirit greko-shqiptar një luftë të pashpallur mes policisë dhe trafikantëve të drogës.

Trafikantët e drogës, në mënyrë që të shmangin blloqet e policisë shqiptare, bëjnë të pamundurën për të transportuar drogën. Kështu ata tashmë nuk e transportojnë atë me makina, por me duar, mbi supe, me mushka dhe gomarë. Karakteristike është se çmimi për blerjen e një gomari është pesëfishuar dhe tani arrin në 1,000 euro.”

Forcat e policisë në shtigjet e kufirit po përballen me grupe kriminale. Me mijëra pako hashashi një-kilëshe, të paketuara në çanta dhe thasë, vijnë nga parcelat e hashashit në Shqipëri, nga ku, sipas direktivave të caktuara më parë, merren nga bashkëpunëtorët e tyre në Greqi, kryesisht shtetas grek me automjete të marra me qira.

Kur malli i paligjshëm arrin me kafshët në vijën kufitare, ai merret nga grupe trafikantësh, të armatosur me kallashnikovë, të cilët e mbajnë mbi supet e tyre deri në një pikë të paracaktuar më parë në territorin grek. Atje pastaj e marrin anëtarë të rrjeteve greke, që udhëhiqen nga shqiptarët.

Imazhet e regjistruara nga kamerat termike dhe të publikuara nga policia janë një tregues i gjendjes në kufi.

Meqënëse prodhimit i hashashit rritet, pasi janë mbjellë të gjitha tokat djerrë të maleve të vendosura mbi qytet, lazaratasit tashmë me një gjendje financiare më të mirë dhe më të qëndrueshme, kanë mundur ta organizojnë më mirë “biznesin” e tyre.

Madje për shkak se hashashi zë një vëllim të madh, dhe çdo herë transporti i tij është dhimbje koke për baronët, tani ata mendojnë që ta përpunojnë. Domethënë të prodhojnë esencë, vlera e së cilës është deri në katër herë më e madhe.

Sjellja kriminale e lazaratasve filloi me hapjen e kufirit në vitin 1991 me shitjen e cigareve kontrabandë dhe vazhdoi gjatë periudhës së embargos në Serbi, me anë të dërgesave ilegale të ushqimit dhe naftës. Ndërsa në vitin 1997 filloi kultivimi sistematik i hashashit.