Për çka janë të dyshuar nga Prokuroria imamët e arrestuar

Sipas dokumentit të prokurorisë për dyshimet ndaj imamëve të arrestuar, paraburgimi u është caktuar: Bedri Robajt Idriz Bilibanit, Enes Gogës, Mazllam Mazllamit, Ekrem Avdiut, Enis Ramës, Fuad Ramiqit, Alban Malsiut, Dardan Gjukës, Eroll Nesimit, Leonard Rulit, Sabahudin Selimit dhe Trim Ademit.

Lajme

18/09/2014 22:18

Bazuar në dokumentin që posedon Gazeta Express, paraburgimi u është caktuar nën dyshimin se personat e arrestuar më 17 shtator  kanë kryer këto vepra penale:

1. Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nga neni 143 paragrfai 2 i KPRK-së.

2. Nxitja e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, nga neni 147 i KPRK-së.

3. Rekrutimi për terrorizëm, nga neni 139 i KPRK-së

4. Shtytja për kryerjen e veprave terroriste, nga neni 141 i KPRK-së dhe

5. Thirrja për rezistencë, nga neni 411 ië KPRK-së

Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani, sipas Prokurorisë, dyshohen se kanë bërë thirrje për shkuarje në Siri dhe bashkëngjitje me grupet terroriste ISIS, Al Nusra etj.

Enes Goga, Mazllam Mazllami, Ekrem Avdiu dhe Enis Rama, sipas Prokurorisë, dyshohen se gjatë predikimeve nëpër xhami kanë përcjellë mesazhe te persona të ndryshëm që t’i bashkëngjiten grupeve terroriste si Al Nusra e ISIS.

Fuad Ramiqi – i dyshuari, pas arrestimeve të fundit të personave të dyshuar për terrorizëm, në paraqitjet e tij publike ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Alban Musliu- përmes aktiviteteve, ka rekrutuar dhe ka shtyrë persona që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste në Siri.

Të njëjtat dyshime, sipas dokumentit të Prokurorisë, qëndrojnë edhe për Dardan Gjukën, Eroll Mesimin, Leonard Rulin dhe Sabahudin Selimin, shkruan Gazeta Express.