Për Adem Grabovcin, s’ka më mirë se në PDK

Adem Grabovci thotë se nuk është e nevojshme dorëheqja e Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Konsideron se askush, askund s'mund ta gjejë vetën më mirë se në PDK. Thotë se është befasuar me insistimin e Isa Mustafës kundër rritjes së pagave.

Lajme

03/03/2014 15:05

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, nuk e konsideron të nevojshme dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Thotë se PDK është angazhuar maksimalisht për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat i beson se do t’i fitojë partia e tij.

“Arsyeja e vetme është sepse ai është Kryetar i Kuvendit dhe ne nuk e shohim të nevojshme që të bëjmë lëvizje. Tani kemi shumë punë më të mëdha para vetës”, ka deklaruar Grabovci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PDK është në angazhim maksimal dhe ne jemi të sigurt se do të vazhdojmë edhe me një mandate katër vjeçar me qeverisjen e vendit”.

E për larguarit nga PDK, Grabovci ka një porosi.

“Mund të them me sigurinë më të madhe se askush askund nuk do ta ndjejë veten më mirë sesa në Partinë Demokratike të Kosovës”.

“PDK është parti e suksesit, është dëshmuar tashmë me vepra konkrete që i ka ofruar qytetarëve të vendit dhe shtetit të Kosovës”.

Adem Grabovci është marrë pak edhe me Isa Mustafën. Thotë të jetë befasuar me deklaratat e tij kundër rritjes së pagave.

“Është diçka e befasueshme që një lideri i një partie serioze, një pretendent për Kryeministër të vendit, të dalë dhe të kundërshtojë rritjen e pagave të punëtorëve. Kjo vërtet është diçka e pabesueshme”.