Për 9 vjet përfundon vetëm ‘U’-ja e kompleksit të banesave ‘UÇK’

Kompleksi i banesave të dëshmorëve, që sipas projektit përbëhet nga tri ndërtesa me nga 160 apartamente, nga lart ka formën e shkronjave UÇK (akronim për UÇK-në), ndërsa ka filluar të ndërtohet në vitin 2009.

Lajme

14/03/2019 09:40

Për 9 vjet ka përfunduar vetëm njëra ndërtesë që ka formën e “U”-së, por për ta përfunduar edhe strukturën e jashtme, bodrumin, pjesën përdhese dhe për t’i vendosur 4 ashensorë nevojiten edhe 980 mijë euro.

Projekti ka koston prej 8 milionë eurosh dhe financohet nga MPMS-ja.

Familje të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës, të cilët akoma nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, janë duke pritur saktësisht qe 9 vjet për t’u vendosur në njërën nga tri ndërtesat e kompleksit të banesave të kategorive të luftës “UÇK”, por deri më tani jo vetëm që nuk ka përfunduar projekti, i cili ka koston prej 8 milionë eurosh dhe i cili financohet nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, por nuk janë kryer të gjitha punët as në ndërtesën e parë në formë të shkronjës “U”.

Në fakt, siç i kanë thënë “Zërit” në Komunën e Skenderajt të martën, objekti i parë i kompleksit të banimit social e ka të papërfunduar pjesën e bodrumit, përdhesen dhe punët finale të infrastrukturës përcjellëse.