Për 6 vjet, shtetësinë kosovare e fituan 1,022 të huaj

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë njoftuar se nga viti 2009 e deri tash shtetësinë kosovare e kanë kërkuar mbi 2,760 persona. Mirëpo, prej tyre, shtetësinë e kanë fituar 1,022 persona.

Lajme

02/03/2015 17:07

Liridon Neziri, udhëheqës në Divizionin për Shtetësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme tha për Telegrafin se dhënia e shtetësisë së Kosovës ka filluar pas shpalljes së pavarësisë.

“Shtetësia e Republikës së Kosovës ka filluar në vitin 2008, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndërkaq në vitin 2009 është themeluar Departamenti për Shtetësi, ku një vit më vonë është inkorporuar me një departament që quhet Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion”, ka thënë Neziri.

Sipas tij, që nga viti 2009 dhe deri në këtë periudhë janë diku rreth 1,022 persona që kanë fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës, ndërsa numri i përgjithshëm i atyre që kanë kërkuar shtetësi është 2760.

Neziri sqaroi se janë tri mënyra të fitimit të shtetësisë: me qëndrim në Republikën e Kosovës, me bashkim familjar, si dhe me dekretim nga presidentja.

Sipas Nezirit, dekretimi i Presidentes është një kategori e veçantë edhe me konventën ndërkombëtare, sepse këta persona nuk i plotësojnë asnjë nga kushtet që kërkohen, por interes i madh shtetëror.

“Sa i përket shqyrtimit të kërkesës për shtetësi është një kohëzgjatje e caktuar prej gjashtë muajsh, por për shkak se jemi efikas në trajtimin e kërkesave, e kryejmë brenda afatit prej tre muajsh”, deklaroi Neziri.

Gjithashtu Neziri njoftoi se nga fillimi i këtij viti deri më tani janë pranuar 120 kërkesa.

(Telegrafi)