Për 18 muaj do të largoj çdo emigrant të paligjshëm nga SHBA

“18 muaj deri në 2 vjet më duhen për të larguar nga Shtetet e Bashkuara çdo emigrant të paligjshëm nga 11 milionë sa është numri total i tyre. Por nuk do ndalem me kaq. Unë do të ndërtoj edhe një mur të madh në kufi me Meksikën për të mos lejuar askënd të depërtojë në mënyrë të paligjshme në SHBA”.

Bota

13/09/2015 09:31

Këto ishin fjalët e kandidatit për president të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, gjatë një konference me republikanët e Alabamës, të cilët e zhvilluan në saje të tjera takimeve me kandidatët mbi paqartësitë që lindin në lidhje me planet e gjithsecilit prej tyre.

“Duhet t’i përzëmë të gjithë nga vendi. Ata mund të kthehen sërish nëse duan por gjithmonë në mënyrë të ligjshme. Kjo është ajo çka zotohem të bëj personalisht sapo të shpallem President. Dhe do e bëj këtë aq shpejt sa nuk jua merr mendja”, ka thënë Trump, përcjell “Zëri”.

Plani i magnatit amerikan për largimin e emigrantëve është denoncuar nga pala demokrate dhe shumë rivalë të tjerë republikanë, të cilët e kanë konsideruar ndër të tjera si jopraktik dhe të pamoralshëm.

Pjesë e tij është edhe ndërtimi i murit të gjatë 1900 milje në kufi me Meksikën.

Të tilla qëndrime kanë sjellë edhe lëvizjet e emrave të njohur kundër tij nëpërmjet spoteve të shpërndarë online dhe madje edhe ndarjen me rrjetin televiziv amerikan NBC për konkurset e bukurisë “Miss USA” dhe “Miss Universe”.

Por pavarësisht këtyre në sondazhet e kryera në vend, Trump vazhdon të mbetet me i preferuari ndër kandidatët e tjerë si Marco Rubio, Jeb Bush, Lindsey Graham, Chris Christie, Scott Walker dhe Ted Cruz.

Sipas një hulumtimi të bërë nga “CNN/ORC”, Donald Trump kryeson me 32% të votave në garën për nominim në Partinë Republikane.

Kështu, ai ka rritur për 8 për qind përkrahjen që nga gushti, dhe pothuajse e ka trefishuar që nga koha kur ka nisur fushatën, në muajin qershor.