Pensionohet portieri legjendar që e njohin të gjithë për stilin e tij të veçantë

Çdo etapë e jetës ka fillimin dhe fundin e saj, futbolli nuk bën përjashtim. Tërheqja nga ky sport është vendimi më i dhimbshëm, por i pashmangshëm i sportistëve.

Sport

23/05/2019 16:22

I radhës që ka varur dorezat në mur është portieri i veçantë i Hungarisë, Gabor Kiraly.

Ky i fundit nuk ka qenë një ndër më të mirët e Europës, nuk ka patur një karrierë shumë të suksesshme, por ka fituar vëmendjen e të gjithëve me look-un e tij të veçantë. Kiraly vishte tuta të thjeshta dhe nuk preferonte rrobat e bëra enkas për portierët. Ai nuk hoqi dorë nga tutat e tij as në kampionatin Europian të Francës.

Ai u bë lojtari më i vjetër që luante në fazën finale të një Europiani, në moshën 40-vjeçare.

Kiraly tërhiqet nga futbolli i luajtur në moshën 43-vjeçare. Ai e mbylli karrierën me ekipin e tij të parë si profesionist Szombathely Haladas që fatkeqësisht ra nga elita e futbollit hungarez. Historia e tutave ka nisur pikërisht me ekipin e shtëpisë kur luante në vitin 1994 me këtë skuadër. “Kisha harruar pantollat e zeza në shtëpi dhe më kishin ngelur një palë tuta gri. Atë ndeshje e fituam, dhe nuk humbëm në nëntë ndeshjet e mbetura duke siguruar qëndrimin në kategori. Që prej asaj periudhe nuk i hoqa më. Tutat e para i kam akoma në dollap, megjithëse janë pak të grisura. Në Francë kam marrë me vete tre tuta shumë të holla për shkak të vapës. Deri në momentin që nuk humbasim, nuk i heq”, – tha ai para nisjes së “Euro 2016”.

Karriera e portierit ka qenë voluminoze, pasi ka luajtur dhe ekipe prestigjoze si Hertha Berlin, Bayer Leverkusen dhe Munich 1860 në Gjermani, ndërsa në Angli ka luajtur për Crystal Palace, West Ham, Aston Villa , Burnley dhe Fulham. Hungaria humbet portierin e saj legjendar dhe më të veçantë se të gjithë të tjerët, pasi ka luajtur gjithë karrierën me tuta…/Telesport/