Pensioni për veteranët do të jetë sa paga mesatare në Kosovë

Muharrem Xhemajli thotë se veteranët do të marrin një pension i cili nuk do të jetë më i ulët se paga minimale në vend. Ai thotë se veteranët bojkotuan festimet e pavarësisë për t’u solidarizuar me bashkëluftëtarët e tyre që po gjykohen.

Lajme

19/02/2014 10:23

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Muharrem Xhemajli, thotë se veteranët bojkotuan përvjetorin e pavarësisë, në mënyrë që të solidarizohen me bashkëluftëtarët e tyre që janë duke u gjykuar për krime lufte.

“Bojkoti jonë në pjesëmarrjen e festimeve të 6 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka qenë jo për arsye të ligjit apo gjendjes së rëndë ekonomike të veteranëve të luftës, por ka qenë për një padrejtësi për bashkëluftëtarët tanë prej përfundimit të luftës e këndej, me procese të montuara, me proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar”.

Në Programin e Mëngjesit në RTK, Muharrem Xhemajli tha se projektligji që ka miratuar Qeveria për benificionet për veteranët e luftës, do t’ju ndihmojë shumë atyre personave të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike.

“Po ne si organizatë e veteranëve e kemi ngritur zërin karshi institucioneve të vendit, Qeverisë, Kuvendit dhe të gjithë atyre mekanizmave që janë përgjegjës që të bëjnë Ligj për Luftën Çlirimtare të Kosovës në radhë të parë dhe pastaj Ligjin për Benificionet për Veteranët e Luftës të UÇK’së.”

“Ne si organizatë e veteranëve në dhjetor të vitit të kaluar ju jemi drejtuar me një kërkesë Qeverisë, Kuvendit dhe gjithë atyre të cilët duhet të punojnë në këtë drejtim që të bëjnë Ligjin për Luftën e UÇK’së, dhe Ligjin për benificione për veteranët e luftës”.

“Ne kemi përcaktuar edhe një afat kohor se deri kur veteranët e luftës do të presin dhe kjo datë ka qenë data 10 mars”.

Muharrem Xhemajli thotë se projektligji ka paraparë që veteranët të marrën një lloj pensioni i cili nuk do të jetë më i ulët se rroga minimale në Kosovë.

“Me anë të këtij projektligji është paraparë se të gjithë veteranët të cilët nuk janë në marrëdhënie pune,e janë në gjendje të rëndë të përfitojnë një lloj pensioni, nëse mund ta quajmë pension, sepse më shumë është një lloj ndihme”.

“Ky pension do të jetë jo më pak se rroga minimale në vendin tonë”, ka thënë Muharrem Xhemajli për RTK.