Pensioni i veteranëve të papunë të luftës, mbi 220 euro

Drejtori i Zyrës së Veteranëve të UÇK-së në Qeverinë e Kosovës, Faik Fazliu tha se listat e veteranëve të luftës do të publikohen më së largu më 15 shkurt.

Lajme

02/02/2015 22:52

Ky ka qenë prononcimi i Fazliut për KTV-në pas lajmit se Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së do të presë deri më 10 shkurt dhe nëse listat nuk do të publikohen deri atëherë, ky këshill do të organizojë demonstrata para Qeverisë.

Sipas KTV-së tashmë janë hartuar edhe dy udhëzimet administrative që do të caktojnë lartësinë e pensionit dhe mënyrën se si do të duket certifikata e veteranëve.  

Sipas KTV-së, numri i veteranëve do të sillet rreth 22 mijë, ndërsa lartësia e pensionit të veteranit të papunë pritet të jetë më e lartë se 220 euro.

Për zbatimin e ligjit janë alokuar 24 milionë euro dhe pensionet do t’i marrin në mënyrë retroaktive nga 1 janari I këtij viti, transmeton koha.net.