Pengu i madh i Fadil Vokrrit

Vdekja e papritur e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka tronditur të gjithë.

Sport

10/06/2018 11:05

Vokrri ka ndërruar jetë në moshën 57 vjeçare, duke pësuar arrest kardiak pas ushtrimeve në një palestër sportive në Prishtinë.

Meritat e Fadil Vokrrit për futbollin kosovar janë të pakontestueshme, i cili arriti ta vë Kosovën në hartën e sportit botëror.

Gjeneratat e viteve 80-ta dhe 90-ta për sinonim të futbollit kishin emrin e Fadil Vokrrit që për shumë vite bëri krenarë shqiptarët me të arriturat e tij në periudha të ndryshme të vështirësive të vendit.

Kulmimi i karrierës së Vokrrit regjistrohet në vitin 2016, kur arriti të thyej izolimin shumë vjeçar të futbollit të Kosovës, duke e anëtarësuar FFK-në në UEFA dhe në FIFA, për t’u trajtuar pastaj si një shtet i barabartë karshi gjitha shteteve të botës.

E mos pasja mundësisë që të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës, ka qenë pengu i vetëm i Fadil Vokrrit në karrierën e tij.

Kryetari i ndjerë i FFK-së në shkurt të këtij viti, i ftuar në emisionin sportiv ‘2:1’ pati deklaruar se të luash për shtetin tënd është një krenari, që ai dhe gjenerata e tij nuk e kanë pasur si mundësi.

Këtë deklaratë Vokrri e kishte bërë teksa fliste për lojtarët e rinj me prejardhje nga Kosova, që po hezitojnë të veshin fanellën e ‘Dardanëve’.

“Lojtarët tanë duhet ta dinë, gjithë ata që i kemi jashtë Kosovës që bëjnë veprimtarinë dhe zhvillojnë veprimtarinë, që është kënaqësi dhe krenari të luash për shtetin tënd, fatkeqësisht ne disa, gjenerata më e vjetër se kemi pasur atë mundësi”, pati deklaruar Vokrri.

Fadil Vokrri do të varroset ditën e diel nga ora 17:00 me ceremoni shtetërore, ndërsa në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, me vendim të presidentit Thaçi, dita e diel është shpallur ditë zie dhe flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit./Lajmi.net/