Pengesat që Lista Serbe mund t’i bëjë në rast të largimit nga Qeveria

Dalja eventuale e Listës Serbe nga koalicioni qeverisë, do të paraqiste probleme të mëdha për kalimin e ligjeve që kërkojnë shumicën e dyfishtë të votave në Kuvendin e Kosovës. Por, një dalje e tillë nuk e rrezikon edhe rrëzimin e qeverisë, ka vlerësuar analisti Fisnik Korenica.

Lajme

04/02/2015 17:38

Largimi i Aleksandër Jabllanoviqit nga posti i ministrit në Qeverinë e Kosovës, ka nxitur pakënaqësi të mëdha tek përfaqësuesit e Listës Serbe.

Pak minuta pasi kryeministri Isa Mustafa bërë të ditur lajmin për shkarkimin e Jabllanoviqit, ky i fundit u deklarua se nuk e pranon këtë vendim të ndërmarr nga ish-shefi i tij.

Menjëherë pas kësaj, pasuan edhe reagimet kundër të ardhura nga Beogradi. Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, thanë se nuk do të lejojnë që, siç u shprehën ata, të poshtërohen përfaqësuesit e tyre në Qeverinë e Kosovë, duke paralajmëruar vendim të ri, pas shkarkimit të Jabllanoviqit.

Këtu nuk u përjashtua edhe largimi i tërësishëm i kësaj liste nga koalicioni qeverisës.

Vendimi i mundshëm i Listës Serbe, që të dalë nga koalicioni qeverisës PDK-LDK, sipas analistëve, do të sillte probleme për qeverinë, sidomos për kalimin e ligjeve të cilat kërkojnë shumicën e dyfishtë të votave në Kuvend, që përfshijnë edhe 2/3 e votave të minoriteteve.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se largimi eventual i Listës Serbe nga qeveria do krijonte implikime Kushtetuese.

Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se mungesa e Listës Serbe, do të paraqiste probleme në kuptimin e shumicës parlamentare.

“Tërheqja e Listës Serbe, është problem relativisht i madh në kuptimin e menaxhimit të shumicës parlamentare, për faktin se edhe ndryshimet Kushtetuese që janë shumë të nevojshme si për ushtrinë e Kosovës, për Gjykatën Speciale por edhe ndryshimet e tjera të ligjeve që kërkojnë shumicë të dyfishtë, nuk do të mund të bëheshin pa pasur shumicën e votave të përfaqësuesve të komuniteteve në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Korenica.

Por, Korenica ka përmendur edhe disa modalitete tjera, që pozita do të mund t’i shfrytëzonte, për të kaluar pengesa që Lista Serbe mund t’i paraqesë gjatë votimeve në Kuvend. Sipas tij, dhe nëse Lista Serbe tërhiqet nga koalicioni, ka mundësi që ta sigurohen votat nga shumica e deputetëve të minoriteteve, nëse mund të menaxhoheshin nga qeverisa.

“Lista Serbe nuk i ka aktualisht nënë kontroll 20 deputetët, i ka 7 ose 8. Shumica prej  2/3 e deputetëve, nga 20 sa janë deputet të minoriteteve, besoj që do të mund të arrihej edhe nëse Lista Serbë do të hiqej nga qeveria, me kushtin që katër deputetët të cilit nuk kanë qenë në Listën Serbe, por që janë bërë pjesë e saj, të mund të menaxhoheshin disi nga qeveria dhe të shndërroheshin në partner qeverisës”.

“Por, nëse dhjetësha e deputetëve është tërësisht kundër, mbetet i pa mundur amendametimi i Kushtetutës dhe i ligjeve vitale”, ka thënë Korenica.

Ai për lajmi.net thotë se nëse Lista Serbe braktisë partnerët në qeverisje, nuk do të rrezikonte rrëzimin e qeverisë në kuptimin e shumicës prej 61 vota, por se do të paraqiste komplikime kushtetuese.

“Ne në Kosovë nuk duhet ta ndërtojmë precedentin, që sa herë që hiqet Lista Serbe prej Qeverisë, të dështojë qeverisja e Kosovës. Nëse e lejojmë një gjë të tillë, i bie që sistemin tonë ta vendosim  në një kontroll direkt të Beogradit”, është shprehur Korenica.

Ndryshe kryeministri Isa Mustafa, dje ka bërë të ditur se Aleksander Jabllanoviq, i cili ishte ministër për Kthim dhe Komunitete, nuk është pjesë e qeverisë.

Kërkesa për shkarkimin e këtij ministrin ka ardhur i njëjti i kishte quajtur egërsira nënat gjakovare.

Pas kësaj deklarate u organizuan protesta të mëdha për shkarkimin e Jabllonviqit, në shumicën e qyteteve të Kosovës, duke përfshi edhe dy në Prishtinë.