Penallti e pastër

Futbollistët e West Bromwich Albion shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të gjyqtarit Andre Marriner i cili akordoi penallti në favor të Chelseas pas duelit mes Ramiresit dhe Steven Reid, prej ku mesfushori Eden Hazard shënoi golin e barazimit 2:2 në Stamford Bridge, në çastet e fundit të ndeshjes. Mirëpo, edhe pse WBA reagoi sikur…

Sport

09/11/2013 19:00

Futbollistët e West Bromwich Albion shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të gjyqtarit Andre Marriner i cili akordoi penallti në favor të Chelseas pas duelit mes Ramiresit dhe Steven Reid, prej ku mesfushori Eden Hazard shënoi golin e barazimit 2:2 në Stamford Bridge, në çastet e fundit të ndeshjes.

Mirëpo, edhe pse WBA reagoi sikur iu bë një padrejtësi me këtë rast, menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho thotë se skuadra e tij ishte viktimë e vendimeve të gabuara nga Marriner.

“Nuk jam i kënaqur sepse ishim duke humbur si vendas edhe pse reagimi në 15 minutat e fundit ishte shumë i fuqishëm, ne dhamë maksimumin në përpjekje të shënojmë, në mënyrë që mos të humbim, dhe faza përfundimtare ishte më tepër emocionuese se sa teknike dhe taktike”, deklaroi Mourinho.

Special One insistoi se penalltia ishte e pastër. “Humbëm shumë raste, përfshirë një reagim të mirë nga portieri i tyre në vijën e portës, dhe në fund të ndeshjes na u akordua një penallti, vendim i vështirë për tu pranuar nga skuadra në epërsi. Por, ata do të kthehen në shtëpi duke e shikuar rastin në televizion, të vetëdijshëm se gjyqtari nuk bëri gabim, ai bëri gabime gjatë ndeshjes, por jo tek penalltia”.

Madje, Mourinho tha se Chelsea është skuadra që duhet të ankohet në ndarjen e drejtësisë.

“Nëse dikush është i pakënaqur me ndarjen e drejtësisë, atëherë ai jam unë. Nuk them se është gjyqtar i keq, është një prej më të mirëve, por në këtë ndeshje nuk ishte në nivelin e tij të zakonshëm. Madje, ai bëri një gabim në momentin kur ata shënuan golin e dytë, pasi ishte një goditje e lirë në favor tonin”, theksoi ai.

Me këtë barazim, Mourinho e ruajti bilancin pozitiv prej 66 ndeshjesh si menaxher i Chelseas pa humbje në Stamford Bridge në kuadër të Premierligës.