Pellegrini: E domosdoshme ta mposhtim Unitedin

Menaxheri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini insiston se skuadra e tij nuk duhet t’i nënvlerësojë komshinjtë e Manchester Unitedit, kur ata të takohen nesër mbrëma në Old Trafford. ‘Djajtë e Kuq’ gjenden në pozitën e shtatë me 12 pikë më pak se ‘Citizens’, duke i zhvilluar dy ndeshje më shumë në sezonin e parë nën…

Sport

24/03/2014 20:10

Menaxheri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini insiston se skuadra e tij nuk duhet t’i nënvlerësojë komshinjtë e Manchester Unitedit, kur ata të takohen nesër mbrëma në Old Trafford.

‘Djajtë e Kuq’ gjenden në pozitën e shtatë me 12 pikë më pak se ‘Citizens’, duke i zhvilluar dy ndeshje më shumë në sezonin e parë nën drejtimin e David Moyesit, por i fituan dy ndeshjet e fundit, ndaj Olympiakosit e West Hamit.

Derbi i qytetit të Manchesterit është i pari për Cityn, i cili i ka tri ndeshje më pak se lideri Chelsea, ndërsa menaxheri Pellegrini kërkon që lojtarët e tij të qëndrojnë të fokusuar, përkundër sezonit dështues të Unitedit dhe mungesës së Robin van Persiet.

“United e kishte një sezon të vështirë, por ata kanë ekip mjaft të mirë. Ne jemi të sigurt se duhet ta bëjmë një lojë shumë të mirë, nëse duam të fitojmë”, deklaroi fillimisht 60 vjeçari në konferencë për shtyp.

“Lojtarët janë të motivuar të ptovojnë ta fitojnë titullin. Këtë sezon liga ishte mjaft e ‘ngushtë’, që nga fillimi i sezonit. Ne tash jemi të fokusuar vetëm në Premierligë. Fizikisht dhe mentalisht jemi të fokusuar tek fitimi i titullit”.

“Objektiv yni është që t’i shtojmë në konton tonë edhe tri pikë, por nuk na nevojitet vetëm fitorja e së martës, por edhe ndeshjet tjera, deri në fund të sezonit”, përfundoi ish trajneri i Real Madridit.

Cityt do t’i mungojë sulmuesi Sergio Aguero, i cili është i lënduar, ndërsa Matija Nastasic nuk është i gatshëm të kthehet, për shkak të problemeve në gju.

Ndërkaq, kapiteni Vincent Kompany pritet të luajë në Old Trafford pas suspendimit prej një ndeshjeje.