Peja fiton derbin e rivalëve të vjetër ndaj Trepçës

Peja ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 84:76 (25:21, 27:18, 13:21, 19:16), në kuadër të javës së 26-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Sport

28/03/2021 19:14

Pejanët e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi konstante në çerekun e parë, kurse epërsinë më të lartë e arritën në 23:14, por mysafirët nuk u dorëzuan dhe ngushtuan shifrat në 25:21, sa përfunduan 10 minutat e parë. Verdhezinjtë ishin shumë më të mirë në periudhën e dytë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë që shkoi deri në 15 pikë, 52:37, derisa pjesa e parë përfundoi me shifrat 52:39.

Trepça nuk u dorëzua dhe në periodën e tretë dominoi totalisht, duke ngushtuar shifrat me kalimin e minutave, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 65:60. 10 minutat e fundit ishin mjaft interesante, por në dy minutat e fundit (73:71) vendasit ishin më të përqendruar, duke shënuar fitore 84:76.

Te Peja u dalluan Lis Shoshi me 23 pikë e 9 kërcime, Brandon Walters me 17 pikë e 13 kërcime dhe Dardan Berisha me 24 pikë, ndërsa te Trepça u dalluan Dino Butorac me 21 pikë, Drilon Hajrizi me 18 pikë e 10 kërcime dhe Stavros Toutzaiarkis me 13 pikë e 12 kërcime.

Peja ka 14 fitore dhe 12 humbje, kurse Trepça 10 fitore dhe 16 humbje.