Pedro, i pavendosur për të ardhmen

Pedro Rodriguez nuk ka vendosur ende për të ardhmen. 26 vjeçari e pranon se do të donte të qëndrojë në Barcelonën, por dëshiron të luajë më shumë, në krahasim me sezonin që shkoi.

Sport

25/05/2014 23:02

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro Rodriguez e ka pranuar se nuk e di nëse do të jetë tek gjiganti katalunas edhe sezonin tjetër.

Përfaqësuesi spanjoll ka realizuar 19 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon, por flitet se mund të largohet nga Camp Nou këtë verë.

Ai e ka pranuar se është i lumtur në Barcelonë, por e pranon se do të donte të luajë më shumë për ekipin e tij.

“Nuk e di nëse do të rri këtu. Jam i lumtur në klub, por nuk e di se çka sjell e ardhmja për mua”, ka thënë Pedro për të përditshmen AS.

“Kam luajtur shumë rrallë, shumë minuta, posaçërisht në ndeshje të mëdha, ku jam angazhuar më pak. Mendoj se në ndeshjet ku kam luajtur, kam qenë i aftë ta ndihmoj ekipin shumë. Ta shohim se çka do të ndodh sezonin e ardhshëm”, vazhdoi Pedro.

“Nuk është e lehtë të luash në një ekip si Barcelona. Trajneri ka vendosur t’i përdor lojtarët tjerë dhe unë e kam respektuar vendimin e tij. Nuk dua të bëhem problem”, përfundoi Pedro, i cili i uron suksese trajnerit të ri, Luis Enrique.