Pedofilët në liri

Në pasditën e 11 korrikut të vitit 2019 u gjet i vdekur një 11 vjeçar i komunitetit rom në Fushë Kosovë. Në bazë të konstatimeve të mjekësisë ligjore, me këtë fëmijë ishte abuzuar seksualisht e pastaj nga lëndimet e marra në kokë nga dhunuesi, kishte ndrruar jetë.

Lajme

14/02/2020 20:34

Ky fëmijë, abuzimin dhe ngacmimin e kishte raportuar edhe në Polici, për çka ishte në njohuri edhe Prokuroria, madje më shumë se njëherë.

Por institucionet nuk kishin reaguar për ta mbrojtur, duke e lënë të lirë dhunuesin që ishte edhe fqinjë me viktimën.

Historia e mosreagimit të Prokurorisë, përsëritet prapë.

Fëmijët e pambrojtur, ata në situatë rruge, fëmijet me probleme të shëndetit mendor e edhe fëmijët pa përkujdesje të mjaftueshme prindërore ose personave kujdestarë, janë preja më e lehtë për trafikantët e abuzuesit.

Fëmijët lumturohen kur ata rrethohen me dashuri, kujdes e edhe lodra e shëtitje. Ata janë të padjallëzuar dhe nuk mendojnë shumë për të keqen që mund të iu vjen.

Kjo i ndodhi edhe Yllit, djalit tani 13 vjeçarë nga Prishtina, emri i të cilit nuk është i vërtetë, por është i njohur për redaksinë.

“ Unë i kam 13 vjet…Unë jetojë dikun tjetër, se një djalë m’bojke sene palidhje”, rrëfen Ylli për emisionin UDHËVE në RTK.

Fëmijët kanë dëshirë të mbështeten në heronjë, në ata që i mbrojnë, e pedofilët janë ata që edhe ofrojnë mbrojtje për ta, që pas një kohe të marrin atë që kërkojnë.

“ Atje në shtëpin time sa jamë kanë, kam dal me ble bukë. Tani janë kanë dy djem dhe me kanë ngucë, tani qaj djali i ka rrehë. Tani më ka thanë pse të kanë ngucë, e tani kom shku te ai.

Ylli fillimisht kishte kaluar kohë të mirë me të dyshuarin. Ai ia kishte plotësuar të gjitha dëshirat atij për të filluar abuzimet me të më vonë.

“Kemi lujtë, kemi shku në bazen në Vivë me ble diçka… kemi hanger pica, tani ni ditë m’ka bo sene palidhje. M’ka desh, m’ka ly me pomadë (kremë), tani me bojke qështu, tani m’ka desh, tani unë jam kanë smut edhe i kam thanë me ma ble një OKI, ai s’ma ka ble, tani m’ka ble kësi kokrra të gjumit. Kom flejtë… Tani ma ka bo k’ta përmas”.

Ai pasi e kishte kuptuar se çka i ka bërë “shoku” i tij, kishte shkuar në shtëpi dhe ju kishte treguar familjarëve.

“Ni ditë se kom pi krejt, kom nejt aty qut edhe e kom ni krejt çka kanë bo. Tani jom shku në shpi teme edhe i kom kallxu babit, tani u ardh Sevdia (punëtorja sociale v.j.) mem marrë edhe mem qu atje (në strehimore për fëmijë v.j.)… tani i kom kallxu krejt Policisë , qysh ai m’ka desh edhe ma ka bo kto permas”, rrëfen Ylli për emisionin UDHËVE në RTK.

Kur i dyshuari kishte dhunuar Yllin, ai s’kishte qenë vetëm, sipas rrëfimit të fëmijës.

“Tani edhe shokt e vet kanë bo qashtu, shoktë e atij.  Një djal ja ka ble një Pomadë (kremë).. Ai djali se di 20 vjet mdoket u kanë”.

Ylli tani qëndron në një shtëpi të sigurt, larg familjes dhe rrethit që i kanë shkaktuar dhimbje e torturë shpirtërore. Por ai tash ka shumë më shumë frikë nga abuzuesi, i cili jeton shumë afër shtëpisë së Yllit.

“ Njëherë jam kanë në takim (vizitë), kështu më bujt gjithmonë të shpija, tani u ardh naten mem marrë, ka thanë a po vjen, ka thanë ani ani pse je ka i kallxon Policisë, tani m’ka kap qetu në fyt, tani ka dal babi jem jasht tani tha çka po bon ti jasht, tani iki”.

Por Ylli tash nuk ndihet i sigurt të shkoj sërish në vizitë tek familja e tij. Ai dëshiron që asnjëhërë mos të jetoj më në atë lagje.

“Unë shumë po kam qef me nejt aty (në strehimore), me shku te shpija s’mundem, se me sheh ai. Na e kemi shpin qanenaj, ai e ka qatje”, tregon Ylli.

Por rrëfimi i këtij fëmije nuk mbaron vetëm me përjetimet e tmerrshme të një dhune seksuale që i është ushtruar atij nga një i rritur.

“Ai shet drogë, me ka shti me pi drogë…shet bari, e kom pa ka iu jep shokëve t’vet”.

Fillimi i gjithë kësaj historie të tmerrshme për këtë fëmijë kishte nisur me disa video të ndryshme në YouTube.

Fëmija për një periudhë më shumë se një vjeçare ishte shfaqur në video të ndryshme me përmbajtje që nuk përputhet me atë të moshës së tij.

Fjalorë i vrazhdë e me fjalë të ndyta, zhveshje e sjellje të seksualizuar kishin qënë ato që edhe kishin rënë në sy të punëtorëve socialë e edhe të Policisë së Kosovës.

“ Mkallxojke foto, e tani e kom qel edhe një Instagram. Me blejke tesha, pantolla, duksa. Folshim për instagramin”.

Ky fëmijë vjen nga një familje ku prindërit kanë problem të shëndetit mendor, fëmija gjithashtu, ndërsa motra e madhe e cila është e mitur gjithashtu është viktimë e trafikimit.

Një familje e cila për trafikantët dhe abuzuesit e tillë është preja më e lehtë.

Pas shfaqjes së videove të ndryshme e fotove në rrjete të ndryshme sociale për këtë të mitur, kishte reaguar Policia e Kosovës. Kjo kishte ndodhur ende pa u dhunuar YLLI.

“Një rast i tillë që ka ndodhë në veren e vitit 2018 ka qenë një rast ku një fëmijë i  moshës 12 vjeçare ka qenë i shfrytëzuar në formën e shfrytëzimit pornografi”, thotë Riza Murati- Kapiten Kundër Trafikimit- Policia e Kosovës, për emisionin UDHËVE, më RTK.

Por, reagimi i Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Qendren Për punë Sociale në Prishtinë nuk kishin mjaftuar.

Vetëm një muaj para se të gjendej i vdekur fëmija rom në Fushë Kosovë me të cilin ishte abuzuar seksualisht,  ishte zbuluar një tjetër abuzim seksual.  Abuzimi ndaj  Yllit.

Edhe për këtë Prokuroria kishte dosje të paluara në raftet e saj, e të cilat nuk i kishte trajtuar .

Në vitin 2018 Policia e Kosovës kishte ngritur Kallzim Penal mbi provat se Ylli ishte duke u trafkuar, por të gjitha këto nuk i kishte marrë seriozisht Prokuroria Themelore e Prishtinës,  dhe një Kallzim të tillë Penal e kishte hedhur poshtë.

“Sa i përket rastit tjetër, ka të bëjë me personat e njëjtë, është e vërtetë që kemi pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës, prokurori i rastit, ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë çështje, andaj, pas analizimit të të gjitha të gjeturave, e ka hedhur poshtë kallëzimin penal, për shkak se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale.  Për shkak të procedurës për të mitur, si dhe shkeljes së drejtave për të mitur, nuk mund t’ ju sigurojmë këto dokumente”, ka thënë Laureta Ulaj, zedhenëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Vetëm 9 muaj është dashur që nga një traumë të kalojë në tjetrën dhe ky i mitur, i cili ka qenë edhe  nën përkujdesjen e organeve të shtetit të abuzohet në formë edhe më të rëndë, atë të abuzimit seksual.

Abuzimin ndaj këtij fëmije sipas Policisë e ka vërtetuar edhe doktori kompetent.

“Fatkeqësishtë ka ndodhur ajo që e thoni ju, nga po i njëjti person i dyshimtë që pas 8 muajve ose 9-të është identifikuar nga menaxherja e rastit se fëmija ka pas dyshime të abuzimit nga i njejti person i dyshimt”, thotë Riza Murati kapiten Kundër Trafikimit në Policinë e Kosovës.

Sevdie Brahimi, menaxherja e rastit në kuadër të Qendres për Punë Sociale në Prishtinë e tregon edhe gjendjen në të cilën ndodhet fëmija.

“Ka dy vite që e kamë tërhekë nga familja këtë fëmijë dhe e kemi vendos në një strehimore në Kosovë. Gjendja e fëmijës është e keqe, edhe vazhdon me qenë shumë e keqe. I njëti ka shku prej prindërve e ka marrë  dhe e ka mbajtë dy ditë në shtëpin e tij, pasi që është kthy janë vërjetë gjurmët ku i kanë vrejtë punëtorët e strehimores, keqtrajtim seksual”, thotë Sevdie Brahimi Haxholli, menaxhere e rastit në Qendren për Punë Sociale në Prishtinë.

Sipas saj shqetësimi më i madh mbetet fakti se i dyshuari është i lirë.

“ I njëjti vazhdon të qëndrojë në liri, ndërsa fëmija është në vuajtje dhe dhimbje shpirtërore”.

Dështim të gjithë sistemit të drejtësisë e sheh edhe Avokati i Popullit, i cili thotë se ky rast është njëri ndër ato ku ka shkelje të mëdha të drejtave të fëmijeve, e për të cilin organet e drejtësisë duhet të japing pëegjegjësi.

“ Është e vërtetë që ka pas abuzim me një fëmijë të mitur, dhe ka pas neglizhim nga informatat preliminare na e thonë kta. Bëhet fjalë për një të mitur që detyrimet janë shumë më të mëdha edhe për autoritet për një kategori të tillë të personave, e dyta gjendja e shëndetit mendor edhe e fëmijës edhe  përkujdesja që munden me ja ofru familjarët është kogja e cenueshme, në anën tjetër ka qenë në përkujdesje të autoritetit përkatës ky fëmijë, e fundit ekspozimi që i është bërë këtij fëmije dhe shkelja e të dhënave personale si dhe i gjithë peocesi që është zhvillu nga Prokuroria me një verdikt qysh e thatë ju për pushim dhe pezullimin e hetimeve për situaten e ndodhur. Të gjitha këto përbëjnë shkelje të rënda bazike e themelore, quaje si të duash të parimit dhe kodit  të drejtësisë për të mitur edhe të ligjit për të dhënat personale edhe të konventës për mbrojten e fëmijës”, thotë Hilmi Jashari, Avokat i Popullit.

Por pasojat e mos veprimit me kohë ndaj atyre që do të duhet ta mbronin një fëmijë të tillë, i shpejgon psikiatja e fëmijëve.

Ajo thotë se pasojat mund të jenë afatgjata.  Ndërsa, mos reagimi i plotë i organeve të drejtësisë vazhdon ende.

“Te ky fëmijë kemi edhe formën  e lehtë të abuzimit që është ekspozimi dhe forma tjetër kemi marrdhënien seskuale që ësntë forma më e rëndë e abuzimit.  Pasojat tek ky janë fizike dhe psikologjike. Unë supozoj që ky fëmijë është mjaft i traumatizuar për shkak të asaj që i ka ndodhë”, thotë Aferdita Goçi, psikiatre.

Të gjitha videot në të cilat fëmija shfaqet janë të qasshme për publiku.  Ato nuk janë larguar nga interneti as kur Policia ka ngritur kallzimin e dytë penal, tani për Keqpërdorim seksual.

Sipas Policisë së Kosovës rastet  Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë, nuk janë të pakta.  Vetëm në 5 vitet e fundit janë raportuar 294 raste të tilla.

Sipas Kodit Penal të Kosovës Neni 235 Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën 16 vjeç sipas pikës 1.1 të këtij neni, kryesi i cili kryen veprën penale të dhunimit nga neni 230 i këtij Kodi ndaj personit nën moshën 16 vjet, dënohet me burgim prej 5 deri në 20 vjet.