Peci: Postimet e ekzekutivit për takimin Kurti-Burns me tone të një fushate parazgjedhore

Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), ka shkruar se shefi i CIA-s, Ëilliam Burns nuk e ka bë krejt këtë rrugë për të dëgjuar se sa demokratike është Kosova dhe çfarë rritje ekonomike ka vendi ynë, sepse ato fare mirë i ka ditura CIA.  …

Lajme

23/08/2024 22:34

Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), ka shkruar se shefi i CIA-s, Ëilliam Burns nuk e ka bë krejt këtë rrugë për të dëgjuar se sa demokratike është Kosova dhe çfarë rritje ekonomike ka vendi ynë, sepse ato fare mirë i ka ditura CIA.

 

Sipas tij, postimet në Facebook të ekzekutivit, me rastin e takimit të kryeministri Kurti me drejtorin Burns, nuk është dashur të kenë tone të një fushate parazgjedhore, të cilat nuk kanë asnjë efekt pozitiv, përpos që e ulin edhe më tepër kredibilitetin e Qeverisë së Kosovës në sytë e Washingtonit, pasi ato me siguri nuk e paraqesin substancën e takimit.

 

Postimi i plotë:

 

Mendoj se vizita e Shefit te CIA-s, Ambasadorit William Burns në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, vende këto të cilat janë gjeneruese apo ballafaqohen me sfida të sigurisë, është e një rëndësie të veçantë në këtë kohë të agresionit rus në Ukrainë, eskalimit të krizës në Lindjen e Mesme, dhe potencialit të konflikteve të mundshme në rajon.

 

Në këtë kontekst, është shumë domethënëse edhe deklarata e Departamentit të Shtetit dhënë sot Radio Evropës së Lirë, në cilën në mes tjerash theksohet se “forcimi i partneriteti strategjik” në mes Washingtonit dhe Beogradit është i fokusuar drejtë të ardhmes evropiane të Serbisë, “që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë”. Pra, në bazë të leximit tim, politika e SHBA-ve për Ballkanin është e qartë, Rusia jashtë, BE/NATO brenda, dhe politikat nacionaliste e ndryshimet e kufijve jashtë kombinimit. Këtë të fundit tanimë si po duket e ka kuptuar Dodiku i Republikës Serbe.

 

Me erdhi shumë mire që Drejtori i CIA-s u takua me Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës, si dhe shefin e AKI-se. Mendoj se për secilin prej tyre ka pasur mesazhe specifike që lidhen me përgjegjësinë e vendit tonë për sigurinë rajonale, duke përfshirë këtu edhe prezencën e trupave amerikane në Kosovë, në dritën e zhvillimeve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

 

Mirëpo, Ambasadori Burns, nuk e ka bë krejt këtë rrugë për të dëgjuar prej neve se sa demokratike është Kosova dhe çfarë rritje ekonomike ka vendi ynë, sepse ato fare mirë i ka ditura CIA. Prandaj, mendoj se postimet në Facebook të ekzekutivit, me rastin e takimit të Kryeministri Kurti me Drejtorin Burns, nuk është dashur të kenë tone të një fushate parazgjedhore, të cilat nuk kanë asnjë efekt pozitiv, përpos që e ulin edhe më tepër kredibilitetin e Qeverisë së Kosovës në sytë e Washingtonit, pasi ato me siguri nuk e paraqesin substancën e takimit.

 

Kush e kupton diplomacinë, e din fare mirë që deklaratat e tilla kanë për konsekuencë erozionin e besimit, të cilin në masë të madhe ka kohë që e kemi humbur në sytë e SHBA-ve. Një postim korrekt pas këtij takimi do të mund të ishte hap i mirë për rindërtimin e këtij besimi të humbur.

 

Ndërsa a janë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve “të forta dhe të qëndrueshme” do të besoj vetëm atëherë kur këtë ta thotë Washingtoni, dhe do të gëzohem shumë. Mirëpo, deri më tani nuk kemi dëgjuar diçka të tillë.