PDSH kërkon ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për situatën e krijuar në Maqedoni

Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni (PDSH), ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

Lajme

09/05/2015 13:33

Kjo parti, me anë të një reagimi, thotë se me vëmendje ndjek zhvillimet e reja të situatës në Kumanovë dhe apelon tek qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe tek faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë për ta qetësuar situatën

“Partia Demokratike Shqiptare, konform pozicionit momental politik që ka si opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e partisë së Menduh Thaçit.

Partia Demokratike Shqiptare në këto momente krize ka thënë se ajo ka potencialin dhe aftësinë politike që pakënaqësitë e akumuluara t’i artikulojë me metoda politike dhe ti mbrojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë si dhe apelon që shqiptarët të mos bëhen pjesë e skenarëve të individëve dhe grupeve të ndryshme me agjendë dhe qëllime të cilat nuk përkojnë me metodat me të cilat shqiptarët do të donin të zgjidheshin problemet e tyre.

“Apelojmë tek faktori ndërkombëtarë që urgjentisht të ndërhy në këtë situatë me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës”, apelon PDSH.