PDK zgjedh një femër në krye të rinisë partiake

Këshilli Drejtues i Rinisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e RDK-së prej 36 anëtarësh.

Lajme

29/05/2015 20:48

Me shumicë votash të anëtarëve të kryesisë, kryetare e Rinisë Demokratike të Kosovës u zgjodh Shpresa Rama.

Në këtë takim përveç 81 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Rinisë Demokratike të Kosovës, morën pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli si dhe sekretari i kësaj partie, Basri Musmurati, thuhet në një komunikatë për media të kësaj parite.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi me këtë rast ka thënë që fitorja e PDK-së mban vulën e të rinjve të kësaj partie.

“Fitorja e PDK-së mban vulën e suksesit dhe angazhimit të Rinisë dhe të fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në tri palë zgjedhje. Prandaj, ne, do të vazhdojmë përkushtimin e ri që do të rezultojë në suksese të reja”, tha Thaçi.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i kësaj partie, Kadri Veseli duke iu drejtuar Rinisë Demokratike, theksoi se “Rinia mbetet pjesa më vitale e shoqërisë, por edhe pjesa më e rëndësishme e Partisë Demokratike, në konsolidimin e vlerave më të larta të përfaqësimit, jo vetëm atë shoqëror por edhe politik”

Kryetarja e porsazgjedhur e RDK-së, Shpresa Rama, u zotua se do ta përfaqësoj denjësisht Rininë Demokratike të Kosovës, kurse për pozitën e saj tha se e konsideron një sfidë për të kontribuar në të mirë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Zgjedhja e kryetares dhe kryesisë së Rinisë Demokratike të Kosovës, u zhvillua dy javë pas mbajtjes së Kuvendit të IV Zgjedhor të Gruas Demokratike të Kosovës.