PDK: Të hetohen keqpërdorimet me pronën në Prishtinë

Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Prishtinë, kanë kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë që të zhvillojnë hetime dhe keqpërdoruesit e pozitave zyrtare brenda institucioneve të Komunës së Prishtinës dhe t’i vendosin para drejtësisë.

Lajme

09/06/2018 12:05

Asamblistja e PDK-së e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Kumrie Shabani, ka thënë se publikimi i përgjimeve të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, të cilët janë përfshirë në një aferë pazaresh me pronën komunale, tregon më së miri sesi ka vepruar kjo parti dhe qeverisja e kaluar komunale me Prishtinën.

“Protagonistët e këtij përgjimi janë Nexhat Kryeziu, Drejtor i Ndërmarrjes Banesore në Prishtinë, ish-kandidat për deputet dhe ish-kandidat për Kryetar të Komunës së Malishevës nga partia Vetëvendosje, kurse i dyti Liridon Latifi, Kryesues i Bordit të kësaj ndërmarrjeje dhe aktivist i dhunshëm i partisë Vetëvendosje. Anulimi i konkursit për dhënien me qira të lokaleve afër Katedrales në Prishtinë, për shkak se dy militantë të partisë Vetëvendosje nuk kanë përfituar nga ky konkurs, tregon qartë se jo vetëm në Ndërmarrjen Publike Banesore, por edhe në të gjitha institucionet e Komunës së Prishtinës është manipuluar në mënyra të ngjashme, duke i rehatuar militantët partiakë dhe duke u dhënë tenderë bizneseve mbështetëse të partisë Vetëvendosje”, ka thënë Retkoceri.

Ndërsa sipas asamblistit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka theksuar se Jemi dëshmitar të një lufte të tmerrshme mes atyre qe morën mandatin për udhëheqje të komunës, me akuza e kundërakuza për linçim, shantazhim, denigrim dhe keqpërdorim si dhe luftë shërbimesh me biseda të incizuara dhe forma tjera te shantazhit. Protagonisti Liridon Latifi, në audioincizim thotë se konkursi duhet të rrëzohet dhe t’u rriten pikët atyre dy aplikuesve që përmenden si financues dhe mbështetës të Vetëvendosjes.

“Keqpërdorimi i zyrtarëve të partisë Vetëvendosje me pushtetin, eliminoi 190 biznese që kishin aplikuar për marrjen me qira të lokaleve të Komunës së Prishtinës në lagjen “Pejton”. Ky veprim abuziv dhe i kundërligjshëm i zyrtarëve të lartë të partisë Vetëvendosje, sigurisht i ndërmarrë me urdhrin e Albin Kurtit, tregon se ky subjekt politik ka tentuar të rrënojë çdo gjë në vend për të ardhur në pushtet dhe përmes pushtetit të keqpërdorë pastaj edhe më shumë”, ka shtuar ai.

Si pasojë e këtyre veprimeve, theksoi Znj. Shabani, qytetarët e Prishtinës, si në mandatin e kaluar, ashtu edhe në këtë mandat, po vuajnë nga padrejtësitë që po u bëhen ndërtuesve dhe bizneseve, derisa shumica e tyre marrin edhe shërbime shumë të dobëta nga Komuna e Prishtinës.

“Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, nuk do të përkrahë sjelljen hakmarrëse që po bënë partia Vetëvendosje kundër Partisë Socialdemokrate, siç nuk do të përkrahë as neglizhencën dhe ikjen nga përgjegjësia që po e bënë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kërkojmë nga kryetari Shpend Ahmeti, që të vjen në seancën e radhës dhe të përgjigjet për situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës, si dhe të sillet me përgjegjësi vendimmarrëse për qindra probleme të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë asamblistja e PDK-së, Kumrie Shabani.

Në fund, asamblisti Retkoceri i ka siguruar qytetarët e Prishtinës se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë parti bllokuese në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ashtu siç nuk ishte bllokuese as në mandatin e kaluar. Ai ka thënë se kudo që është interesi i qytetarëve të Prishtinës, Partia Demokratike e Kosovës do t’i mbrojë ato./Lajmi.net/