PDK starton mobilizimin

Këshilli Drejtues i PDK’së ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, me synimin për ta marrë edhe një mandat qeverisës. Prej Hashim Thaçit e teposhtë, nga muaji mars, fillojnë daljet në terren për t’i mobilizuar strukturat e partisë.

Lajme

21/02/2014 18:30

Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot Këshillin Drejtues, për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe për ta planifikuar agjendën e zgjedhjeve parlamentare të cilat parashihen për muajin qershor.

Gjatë takimit të mbajtur në Hotel Victory në Prishtinë, gjatë ditës, siç pohohet, është vendosur që gjatë muajit mars të fillojë mobilizimi i strukturave partiake në terren, ku do të përfshihen në angazhimet e tyre Kryetari i PDK’së Hashim Thaçi, Zëvendëskryetari Kadri Veseli, si dhe anëtarët tjerë të Kryesisë.

Po ashtu, siç bëhet e ditur, është marrë qëndrim që Lista Zgjedhore për Deputetë të dalë nga propozimet e Degëve të PDK’së, ndërsa kriteret për të hyrë në Listë do t’i përcaktojë Këshilli Drejtues.

Partia më e madhe në vend, garës zgjedhore do t’i hyjë pa dy figura të rëndësishme të saj, Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, të cilët tashmë e kanë deklaruar zyrtarisht ndarjen dhe themelimin e partisë së tyre.

Shpjegimi që ka dhënë Kryesia lidhur me këtë çështje, duket të ketë qenë fare i shkurtër, që largimi, njësoj edhe si anëtarësimi, bëhet në baza vullnetare dhe askush nuk mund ta ndalojë një gjë të tillë.

Zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij, ka kërkuar që partia e tyre duhet t’i fitojë zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që është shprehur kritik edhe për gabimet që janë bërë në disa raste.

Ai ka pohuar që disa njerëz duhet të pushojnë, ndërsa të tjerë duhet të avancohen.

Një pjesë e kritikave për rënien e PDK’së në zgjedhjet lokale, siç bëhet e ditur, janë shprehur nga Qemajl Mustafa, i cili ka humbur betejën zgjedhore në Gjilan.

Por, Hashim Thaçi ka porositur që në Këshillin Drejtues të mos sillet fryma negative, mirëpo ka kërkuar mobilizim për të triumfuar në zgjedhjet nacionale.

“Kush i ka humbur zgjedhjet në komunat e tyre, nuk mund ta sjellin disponimin negativ në Këshillin Drejtues”, ka deklaruar Thaçi.