PDK sfidon e vetme koalicionet parazgjedhore, bashkimin PSD-AAK e quan “pa nuancë”

Shpend Ahmeti i PSD-së e Ramush Haradinaj i AAK-së zyrtarizuan në fillim të kësaj jave koalicionin parazgjedhor mes partive të tyre.

Lajme

21/08/2019 23:04

Haradinaj, që deri vonë ishte pjesë e koalicionit PAN, me PDK-në e Nismën, në një intervistë televizive u shpreh se më kurrë nuk do të bashkohet me partinë e Veselit, shkruan lajmi.net.

Lexo edhe:

Haradinaj: Kurrë nuk bëhem më me PDK-në

Teksa koalicioni PSD-AAK mori formë, duket se një bashkim tjetër forcash është në ardhje.

Vetëvendosje e LDK tash e disa kohë kanë nisur takimet për koalicion të mundshëm, mirëpo që problem po del të jetë posti i kryeministrit, të cilin të dyja këto subjekte e kanë synim.

E nga Partia Demokratike e Kosovës po thonë se nuk do të bëjnë koalicion me ndonjërën nga subjektet aktuale.

Deputeti i këtij subjekti, Hajdar Beqa, për lajmi.net thotë se partia e tij, do të bëjë koalicion vetëm me qytetarin.

“Siç shprehet ai, PDK-ja do të jetë parti e parë, pavarësisht koalicioneve që ai i cilëson si të “Natës së Bajramit”.Nuk kemi biseduar për një çështje të tillë si Parti Demokratike e Kosovë, ne jemi në terren jemi shumë të konsoliduar, PDK-ja nuk ka qenë asnjëherë më e forë se tash dhe jemi të interesuar me bo koalicion me qytetarët e Kosovës, dhe besoj që do të jemi parti e parë pavarësisht këtyre koalicioneve që po bëhen në Natën e Bajramit pa asnjë lloj nuance”, thotë ai.

Madje sipas Beqajt, koalicionet në fjalë, po bëhen nga panika se subjektet pjesë e tyre, nëse hyjnë si të vetme në zgjedhje nuk do ta kalojnë pragun zgjedhor.

“Shumica prej tyre po bëjnë koalicion me i garantu votat që i kanë pasur, apo me e siguru pjesëmarrjen në parlament se shumica prej tyre nuk kanë qenë të sigurta që e kalojnë pragun. Secila parti e ka agjendën e vetë, ne e kemi agjendën tonë, dhe jemi shumë të sigurtë se projekti jonë me kryeministër Kadri Veselin do jetë më i miri dhe më i përkrahuri nga qytetarët e Kosovës. Koalicionet që po ndodhin na bëjnë më të fortë”, ka thënë Beqa.

Siqoqoftë, koalicioni i arritur mes PSD-së e AAK-së, po shihet si i pafuqishëm nga analistët politik.

Ata thonë se një bashkim i tillë forcash, vështirë se mund të arrijë 15 përqind të votave.

“PSD në KQZ nuk ka as komisionerë të vetit. Një koalicion tërësisht i dështuar dhe i paqëlluar. Partia Socialdemokrate ka pasur frikë që nuk e kalon pragun dhe ka bërë një koalicion të tillë. Kjo është e dukshme se të dyjat bashkë nuk marrin më shumë se 12%. Sikur të hynte Nisma gjasat janë më pozitive për këto subjekte të vogla. Pra ka ende kohë dhe unë mendoj që partitë e vogla duhet të hyjnë në koalicion të përbashkët, pra po flasim për PSD, AAK, NISMA, AKR dhe Alternativa”, thotë analisti Blerim Burjani.

Lexo po ashtu: 

Koalicioni pa fuqi i Ahmetit me Haradinajn – skepticizëm se mund të kalohet 15 përqindëshi i votave

PSD e AAK arritën koalicion, pavarësisht akuzave të ndërjsjella të këtyre dy partive mes vete, duke kujtuar kohën kur zyrtarë të PSD-së, partinë e Haradinajt e quanin subjekt të haraçit.