PDK: Rinia zë fokus vendimtar në Misionin e Ri

Me Misionin e Ri, rinia do të zë fokus vendimtar, në veçanti për sa i përket punësimit. Gjatë viteve të fundit janë shënuar të arritura mjaft domethënëse, të cilat kanë krijuar një bazë më të mirë për projekte dhe mbështetje më të madhe.

Lajme

04/06/2014 23:22

Në një komunikatë të PDK-së lidhur me këtë çështje thuhet se tashmë është hartuar Strategjia Kosovare për Rini 2013-2017. “Rreth 1,000 të rinj janë trajnuar në fusha profesionale të ndërmarrësisë, si teknologji, ndërtimtari, elektrikë, rrobaqepësi, etj. Rreth 300 biznese të reja të krijuara nga ndërmarrës të rinj janë mbështetur financiarisht nga qeveria. Buxheti për subvencionim të OJQ-ve të rinisë është rritur. Janë mbështetur me qindra organizata rinore në promovimin e shëndetit, kulturës dhe fuqizimit të rinisë”.

PDK-ja premton se në mandatin e ardhshëm rinisë së vendit do t’i kushtojë kujdes të madh, veçmas përmes Fondit të Punçsimit.

“Rinia do të ketë qasje të madhe në Fondin e Punësimit, përmes të cilit do të investohen 1.5 miliard euro, që sigurojnë 200 mijë vende pune. Do të jetë pjesë e Misionit të Ri dhe e ndërtimit të një ekonomie të zhvilluar të mbështetur në resurse njerëzore të përgatitura”.

“Investimi i Misionit të Ri tek rinia do të shihet edhe tek investimi masiv në arsim. Nëse në arsimin tonë deri më tani është spikatur tipari i sasisë, që lidhej me nevojat e mëdha të trashëguara për arsim, ne në të ardhmen do të theksojmë elementin e cilësisë, që nivelet tona të kualifikimeve të jenë të krahasueshme me vendet më të zhvilluara”.

PDK premton se do të shtojë fondet për kualifikimin e mëtejshëm të kuadrove arsimore, për kthimin e trurit, për rritjen e mobilitetit universitar, për të sponsorizuar arsimimin e talenteve kosovarë në fusha për të cilat kemi mangësi, për transferimin e teknologjisë dhe për kërkime shkencore. “Ne do t’i kushtojmë akoma më shumë vëmendje arsimit parauniversitar, për të pajisur rininë tonë me sa më shumë njohuri e aftësi të transferueshme”.

Gjithashtu, në Misionin e Ri, rëndësi të veçantë në arsimin tonë do të zë edhe arsimi profesional apo kurset e specializuara, që synojnë t’i përmbushin nevojat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, thuhet në fund të kësaj komunikate.