PDK: Qeveria e propagandës humbi kontrollin në veri dhe solli stagnim ekonomik

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar sot Qeverinë e vendit për dështimet e saj, siç tha ai të njëpasnjëshme në aspektin politik, ekonomik dhe në shëndetësi. Krasniqi është shprehur i shqetësuar me situatën në veri, ku tha se ka një përkeqësim. “Sot nuk mundemi mos me…

Lajme

18/12/2022 17:08

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar sot Qeverinë e vendit për dështimet e saj, siç tha ai të njëpasnjëshme në aspektin politik, ekonomik dhe në shëndetësi.

Krasniqi është shprehur i shqetësuar me situatën në veri, ku tha se ka një përkeqësim.
“Sot nuk mundemi mos me qenë të shqetësuar për Mitrovicën, sepse shohim që ka një përkeqësim të situatës në veriun e vendit tonë”, tha ai.

Këto komente Krasniqi i bëri në Kuvendin zgjedhor të Rinisë Demokratike të PDK-së në Mitrovicë.

Krasniqi më tej tha se me gabimet e qeverisë, vendi ka humbur kontrollin në veri.

“Duhet t’i shohim gabimet e kësaj qeverie që ka sjellë hap pas hapi në situatë zinxhirore deri këtu… Ne sot as nuk i kemi tabelat e veturave dhe as zgjedhjet, të cilat janë shpallur e pastaj kjo qeveri është tërhequr, por kemi barrikadat. Këto barrikada nuk bën të bëhen pjesë e përditshmërisë sonë”, tha ai.

Para të rinjve mitrovicas, Krasniqi ka folur edhe për shtangimin ekonomik, ikjen e të rinjve nga vendi dhe për krizën energjetike.

Gjendja ekonomike dhe sociale, sipas tij, është më e keqe se parë një viti.

“Qeverinë që e kemi sot, është qeveri e mosdijes, qeveri e propagandës. Ekonomia jonë ka stagnuar. Gjendja ekonomike e sociale e familjeve është më e keqe se që ka qenë para një viti ose para dy vjetësh. Kemi stagnim ekonomik, inflacion rekord. Kemi krizë energjetike përkundër që na janë shtrenjtuar për mbi 100 për qind tarifat e energjisë. Nuk kemi zhvillim as në arsim e shëndetësi. Kjo qeveri tash e katër muaj nuk është në gjendje një ministër të shëndetësisë me emëruar. Po ashtu, s’kemi drejtor të policisë dhe s’kemi as kryeprokuror. Prej një qeverie e cila thirret në luftë ndaj krimit e korrupsionit. Pra, një qeveri që krejt çka sjellë është propaganda. Ju ftoj juve rininë që mos e humbni shpresën”, theksoi Krasniqi.

Në Kuvendin zgjedhor të Rinisë Demokratike të PDK-së në Mitrovicë, Krasniqi foli edhe për kontributin e tij në Rininë Demokratike dhe përmendi suksesin e ish-kryetarëve të PDK-së në këtë subjekt dhe për vendin.

“Nuk jam vetëm unë shembull i suksesit përmes rinisë së PDK-së, kështu ka qenë edhe kur para meje ka qenë kryetar Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Vërtet na mungojnë këta lider, sepse kemi pasur një rrugëtim të përbashkët”, tha ai.

Kryetari i komunës së Mitrovicës një herësh edhe kryetar i PDK-së në Mitrovicë, Bedri Hamza, theksoi se zgjedhjet dhe kontributi i rinisë në RDK forcojnë PDK-në për të qenë pushtet në nivel vendi.

“Përmes strukturës së rinisë e kemi sot kryetarin e PDK, Memli Krasniqi… Zgjedhjet e rinisë janë për me forcuat PDK-në, që ne me u forcuar në pushtet dhe me dhënë kontributin brenda institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Kryetari i RDK-së në nivel vendi, Donjet Bislimi tha se Kosova ka nevojë për një rrugë të ndritshme për rininë.

Kësisoj, ai tha se përmes PDK-së, është rruga për të kontribuar për vendin.

“Kthesa më e mirë për rininë, është që jeni pjesë e PDK-së, sepse përmes PDK-së dashurinë për atdheun keni me bërë realitet”, tha ai.

Kandidat për kryetar të RDK për Mitrovicë, janë Endrit Haliti dhe Anita Sherifi.