PDK nuk thërret seancë pa marrëveshje me Bllok-un

Edhe pse Blloku paszgjedhor LVAN doli me deklaratën se do të tërhiqet nga pozita e kryeparlamentarit sikur presidentja t’ua siguronte atyre krijimin e qeverisë, PDK thotë se duhet të ketë marrëveshje para seancës.

Lajme

07/11/2014 17:05

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, thotë për lajmi.net se Blloku nuk ka pasur fare të drejtë në pozitën e kryeparlamentarit.

Sipas Musmuratit, këta nuk është se janë larguar prej kryeparlamentarit e as nuk e kanë falur atë pozitë, sepse kjo është e rregulluar me ligj.

“Ata nuk kanë pasur të drejtë fare në atë pozitë. Nuk ka asgjë të re këtu. Ata vetëm tash e kanë pranuar se Kushtetuesja ia jep të drejtën PDK-së të kandidojë kandidatin për kryekuvendar. Nuk është se ata janë tërhequr, ose janë larguar prej saj, ose e kanë falur këtë pozitë. Kjo është e rregulluar me ligj”.

“Ata e provuan njëherë, e panë se s’kanë të drejtë, e kanë shkelë kushtetutën, pastaj u tërhoqën nga shkelja e dytë”.

Sa i përket seancës së ardhshme për t’u konkretizuar një mundësi e tillë, Musmurati tha se kryesuesja me siguri do të sheh rrjedhën e situatës, dhe pas një marrëveshjeje për pozicionit do ta thërret atë.

“Sigurisht se kryesuesja do të sheh rrjedhën si do të shkojë dhe, në momentin më të përshtatshëm që është e nevojshme dhe që vërtetë bëhet një marrëveshje për të gjitha pozicionet, sigurisht se do ta thërret”.

“Në momentin që bëhet një marrëveshje, atëherë krejt këto do të kryhen. Ne do të presim rrjedhën e ngjarjeve si do të shkojë…”, tha Musmurati për lajmi.net