PDK: Nisma e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë joserioze

Partia Demokratike e Kosovës thotë se nisma e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është joserioze. Kjo nismë, sipas Adem Grabovcit, s'e ka as seriozitetin e as fuqinë politike për të realizuar e sukseshme. Për më shumë ai thotë se koalicioni është stabil.

Lajme

19/02/2014 11:33

Partia Demokratike e Kosovës e quan joserioze nismën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK’së në Kuvendin e Kosovës, Adem Grabovci, thotë se mocioni i ndërmarrë nga AAK nuk e ka seriozitetin e mjaftueshëm e për më shumë nuk e ka as fuqinë politike.

“Ne e shohim si një nismë demokratike, një të drejtë të çdo Grupi Parlamentar, zakonisht opozitar”.

“Opozita normalisht synon në vazhdimësi ta marrë pushtetin. Por, është me rëndësi të gjej format dhe rrugët adekuate sepse kjo s’mund të arrihet vetëm pse ka dëshirë dikush”.

“Nisma duhet të jetë serioze për të përfunduar me sukses. Unë vlerësoj se kjo nismë nuk e ka seriozitetin e mjaftueshëm, nuk është e mbështetur në fuqinë politike, sepse për një gjë të tillë kërkohen 61 vota”.

“Takimi i dy liderëve (Thaçi- Mustafa) dhe konsultat me liderët tjerë tregojnë fuqinë shpirtërore dhe politike të lidershipit të PDK`së. PDK nuk është e orientuar që vetëm të luftojë për pushtet por angazhohet për shtet”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se jemi duke e konsoliduar shtetin, jemi duke i konsoliduar institucionet tona të cilat ende janë të brishta dhe ende e kemi shtetin jo krejtësisht të konsoliduar”.

Grabovci thotë se fitorja e PDK’së do të jetë e padiskutueshme edhe në zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen në muajt e ardhshëm.

“Fitorja e radhës e PDK`së është e padiskutueshme. Jo për hir të PDK`së, jo për hir të interesave të Kryeministrit aktual, por për hir të përmbylljes së proceseve të ndejshme”.