PDK në qendër të vëmendjes: Dorëheqja e Memli Krasniqit, reagimi i Enver Hoxhajt dhe kandidatura e Bedri Hamzës!

Dorëheqja e Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së ka shkaktuar bujë të madhe dhe është njëra nga temat më të përfolura politike në vend. Vendimi i fundit i Krasniqit si i pari i PDK-së ishte thirrja e Konventës të hënën, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj, i cili…

Lajme

14/11/2025 20:16

Dorëheqja e Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së ka shkaktuar bujë të madhe dhe është njëra nga temat më të përfolura politike në vend.

Vendimi i fundit i Krasniqit si i pari i PDK-së ishte thirrja e Konventës të hënën, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj, i cili e quajti vendim të ngutshëm dhe që nuk garanton garë cilësore.

Kandidatura e vetme e shpallur deri më tani është ajo e Bedri Hamzës.

Për këto zhvillime brenda partisë, katër zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës – Petrit Hajdari, Genc Prelvukaj, Riad Rashiti dhe Hisen Berisha – kanë dhënë qëndrimet e tyre për lajmi.ne.

Dorëheqja e Memli Krasniqit

Dorëheqja e Krasniqit nga pozita e kryetarit erdhi në një moment të papritur, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ku PDK fitoi 6 komuna. Por, ky akt i tij po cilësohet si vendi i pjekur.

Petrit Hajdari – anëtar i Kryesisë së PDK-së, e ka cilësuar dorëheqjen e Memli Krasniqit si një vendim të pjekur, të respektueshëm dhe të karakterit të fortë politik.

“Dorëheqjen e z. Krasniqi e shoh si një vendim që meriton respekt të plotë. Ai ka qenë një lider bashkues, punëtor i madh dhe figurë me integritet të lartë. Z. Krasniqi e mori drejtimin e partisë në një kohë aspak të lehtë, në mungesë të dy liderëve të PDK-së, dhe arriti me punë, përkushtim dhe maturi ta forcojë dhe ta rrisë partinë. Rritja e PDK-së në zgjedhje flet qartë për udhëheqjen e tij të drejtë dhe parimore. Vendimi i tij është konfirmim i karakterit që përbashkon, frymëzon dhe udhëheq drejt ditëve më të mira për vendin. Aftësia për të udhëhequr, sikur edhe aftësia për t’i lëshuar udhë tjerëve kur e kërkon momenti, janë esencë e demokracisë. Vlerësimi për të mbetet maksimal.”, tha Hajdari.

Genc Prelvukaj – anëtar i Kryesisë së PDK-së, thotë se dorëheqja nuk duket të jetë e nxituar dhe se ajo hap një fazë të re për PDK-në.

“Është vendim i z.Krasniqi që duhet respektuar. Nuk duket të jetë veprim i nxituar por i menduar mirë prej tij. Sidoqoftë, ky akt krijon një momentum të ri për Partinë Demokratike të Kosovës, duke hapur mundësinë për një rishikim të platformës dhe ofertës konkuruese politike. Gjithsesi, Memli Krasniqi duhet të kreditohet për drejtimin e PDK-se në kohën më të rëndë të saj, për reformat e filluara dhe vënien e partisë në binarët e rritjes.”, u shpreh Prelvukaj.

Riad Rashiti – anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, e ka cilësuar dorëheqjen si të papritur, por të analizuar mirë dhe në interes të stabilizimit të partisë.

“Ka ndodhë një dorëheqje e papritur nga kryetari Memli Krasniqi, ai e ka udhëhequr PDK prej kohës dhe gjendjes më të rëndë që kemi kaluar si subjekt politik, por që ka sjellë rritjen tonë si parti e në dy palë zgjedhje lokale PDK në nivel vendi ka dal partia me më së shumti votë qytetare duke fituar edhe numrin më të madh të anëtarëve për Kuvendet Komunale. Duke e njohur mirë Memlin, jam i bindur që ai këtë vendim nuk e ka marr me nguti, por e ka analizuar dhe vlerësuar gjendjen nëpër të cilën po kalon vendi ynë, por dhe momentumin aktual të PDK-së që i duhet një fuqizim dhe energji e shtuar në mënyrë që në zgjedhjet nacionale të synohet dhe arrihet fitorja e PDK-së dhe një qeveri që udhëhiqet nga PDK. Memli Krasniqi gjithmonë ka qenë i dëshmuar me qasjen e tij pozitive bashkëpunuese, ku asnjë herë nuk e ka parë veten e tij mbi interesin e vendit dhe të PDK-së. Në çdo proces politik vendimarrja e tij i ka shërbyer ngritjes dhe rritjes së partisë, për çka edhe po vlerësohet nga e gjithë struktura dhe elektorati i partisë.”, tha Rashiti

Hisen Berisha – anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, e ka vlerësuar vendimin si një akt përgjegjësie dhe reflektimi.

“Dorëheqja e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës është një vendim që e respektoj dhe e vlerësoj si akt të përgjegjësisë politike dhe personale. Ky nuk është moment dobësie, por moment reflektimi dhe uniteti për partinë. Memli Krasniqi e mori drejtimin e PDK-së në një rrethanë të jashtëzakonshme, pas arrestimit të dy liderëve kryesorë dhe dorëheqjes së kryetarit paraprak. Në atë kohë, arriti të ndalë rënien e partisë dhe të nisë rritjen politike, duke e bërë PDK-në sërish alternativë të prekshme dhe konkurruese përballë qeverisjes aktuale. Vendimi i tij meriton respekt, sepse është akt maturie dhe hapësirë për energji të reja, për të çuar përpara misionin dhe vlerat e PDK-së.”

Debati për datën e Konventës së PDK-së

Reagimi i Enver Hoxhajt për kohën se ku duhet të mbahet Konventa e PDK-së erdhi papritur në opinionin publik, pasi duke se kishte unitet në këtë çështje.

Petrit Hajdari thekson se vendimi për mbajtjen e Konventës është marrë sipas statutit dhe se procesi është i hapur.

“Vendimin për mbajtjen e Konventës e kanë marrë organet e partisë në përputhje të plotë me rregullat dhe statutin e PDK-së.Neni 35 i statutit të partisë përcakton qartë se: konventa e jashtëzakonshme duhet të mbahet brenda pesë ditësh. Procesi është transparent dhe gara është e hapur. Ne mirëpresim çdo kandidat që dëshiron të garojë, përfshirë edhe z. Hoxhaj. E rëndësishme është që procesi të zhvillohet me qetësi, respekt dhe standard demokratik.”, u shpreh ai.

Genc Prelvukaj e quan të natyrshme që brenda partisë të ketë mendime të ndryshme, por thotë se rrethanat kërkojnë veprim të shpejtë.

“Partia Demokratike e Kosovës është komunitet heterogjen për sa i takon mendimit politik. Secili ka të drejtë ti lexojë rrethanat dhe ti shprehë idetë në mënyrë të papenguar. Në këtë kontekst, z.Hoxhaj ka të drejtë të mendojë ndryshe, për më tepër sa më shumë ide dhe diskutim brenda, aq më demokratik është një kolektiv politik. Megjithatë, unë ndaj bindjen se rrethanat e jashtzakonshme ta diktojnë veprimin emergjent, prandaj nuk shoh dicka të gabuar në organizimin e shpejtë të konventës.”, tha ai.

Kurse, Riad Rashiti thotë se gara është e hapur dhe Konventa është plotësisht në përputhje me statutin.

“Pavarësisht reagimit tij, gara është e hapur për të gjitha kandidatët potencial, të gjitha strukturat e PDK-së, delegatët e konventës sigurisht që i njohin të gjitha kuadrat dhe kandidatët potencial të cilët mund të garojnë për kryetar të partisë. Andaj, konventa e jashtëzakonshme është e bazuar në statutin e partisë dhe mendoj që i plotëson kushtet që të mbahet si e tillë dhe ka legjitimitet të plotë. Pajtohem që organizimi i zgjedhjeve të brendshme në PDK është domosdoshmëri, mirëpo tani për tani nuk është momenti i përshtatshëm për t’i organizuar ato, përshkak se vendi ynë po shkon përsëri drejtë zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale. Andaj çdo hapje e debatit publik për këtë çështje është i panevojshëm, nuk sjellë ndonjë dobi dhe nuk duhet të krijohet klimë jo e duhur brenda subjektit tonë politik. Por secili nga ne duhet respektuar vendimarrjen e lidershipit të PDK-së, organeve kryesore që janë të bazuara në statutin e partisë dhe në rrethanat aktuale që po kalon vendi ynë.”, shtoi ai.

Ndërsa, Hisen Berisha fokusohet te rëndësia e unitetit, më shumë sesa te data e Konventës.

“PDK është parti me institucione të qëndrueshme të brendshme dhe me kulturë demokratike të konsoliduar. Çdo debat apo propozim brenda partisë është i mirëseardhur dhe pjesë e procesit të shëndetshëm politik. Për mua, më i rëndësishëm se koha e mbajtjes së Konventës është uniteti, reflektimi dhe drejtimi strategjik që duhet të marrim si parti. Konventa duhet të shërbejë si moment bashkimi, jo ndarje. Prandaj, çdo qëndrim që synon rritjen e kohezionit të brendshëm dhe forcimin e organizatës është pozitiv. Vendimi final për datën i takon institucioneve të partisë, të cilat duhet të vendosin me përgjegjësi dhe në funksion të interesit të PDK-së dhe të shtetit.”

Kandidatura e Bedri Hamzës

Kandidatura e Bedri Hamzës ishte e pritur dhe menjëherë mori mbështetje nga shumë figura qendrore të PDK-së.

Petrit Hajdari po ashtu e mbështet fuqishëm Hamzën, duke e konsideruar figurën më të përshtatshme për kohën.

“Unë e përkrahi z. Hamza dhe besoj se për rrethanat e kohës ai është personi i duhur për të udhëhequr PDK-në. Me profesionalizmin, përvojën dhe përgjegjësinë që e karakterizojnë, ai përfaqëson profilin e një udhëheqësi që i duhet Kosovës në këtë moment. Jam i bindur se PDK-ja do të hyjë në zgjedhjet që tashmë duken të pashmangshme me z. Hamza si kandidat për Kryeministër, sepse vendi ka nevojë për një kryeministër të këtij formati. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve për PDK-në dhe Kosovën.”, tha Hajdari.

Kurse, Genc Prelvukaj e sheh kandidaturën e Hamzës si veprim racional dhe të natyrshëm.

“Mendoj që, pas zhvillimeve të fundit, shpallja e kandidaturës nga z.Hamza, duhet të kuptohet si veprim racional. Për mendimin tim, është propozimi më adekuat i momentit për ta drejtuar PDK-në, prandaj e mbështes si propozim.”, u shpreh Prelvukaj.

Riad Rashiti thotë se Hamza ka përkrahje të gjerë edhe jashtë partisë.

“Sigurisht që Bedri Hamza e ka përkrahjen e padiskutueshme edhe përtej strukturave tona, elektoratit të PDK-së por edhe të qytetarëve të Kosovës. Ai është figura më unifikuese në PDK dhe kandidati që do të udhëheqë partinë drejtë fitoreve në zgjedhje nacionale, në mënyrë që edhe Kosova të qeveriset nga Bedri Hamza bashkë me partnerët tjerë politik, që besojë plotësisht se do ta nxjerrin vendin tonë nga kaosi dhe ngulfatja ekonomike dhe politike.”, tha Rashiti

Kurse, Hisen Berisha thekson se më e rëndësishme se emri është vizioni, por e përfshin Hamzën në mesin e kandidatëve të denjë.

“Në këtë moment, më e rëndësishme se emri i kryetarit është drejtimi që merr PDK-ja. Partia ka njerëz të përgatitur, me integritet dhe përvojë të pasur institucionale, dhe në mesin e tyre padyshim bën pjesë edhe Bedri Hamza. Unë jam pro çdo kandidature që garanton tri shtylla thelbësore për të ardhmen: besueshmëri, përgatitje dhe përgjegjësi. Ajo që i duhet PDK-së sot është një projekt i qartë për Kosovën, për ekonomi të qëndrueshme, siguri kombëtare, drejtësi funksionale dhe dinjitet shtetëror. Pavarësisht emrit, unë do të mbështes çdo proces dhe çdo udhëheqje që e çon partinë drejt unitetit, reflektimit dhe forcimit e rolit të saj si alternativë serioze për qeverisje.”, përfundoi Berisha./lajmi.net/