PDK në koalicion parazgjedhor me disa parti të vogla

Në zgjedhjet e 8 qershorit PDK ka vendosur që të garojë si koalicion. Ende nuk dihet emri i koalicionit apo se me cilat parti do të hyjë partia e Hashim Thaçit në një listë zgjedhore, por përmenden disa subjekte politike. 

Lajme

15/05/2014 22:26

PDK ka vendosur që në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit të shkojë me koalicione. KosovaPress ka siguruar dokumentin që kjo pari ka njoftuar Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, se në zgjedhjet e 8 qershorit do të garojë si koalicion, megjithatë emri i koalicionit, subjektet partnere dhe lista e deputetëve mbeten të dorëzohen më së voni deri në mesnatë të së premtes.

Sipas Kosovapress,  PDK do të bëjë koalicion me Alternativën e Demokratike të Kosovës (Edita Tahiri), Lëvizjen për Bashkim dhe Partinë e Drejtësisë, me këto dy të fundit pritet që nesër të zyrtarizohet koalicioni. 

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku tha për KP se ende nuk është përfunduar marrëveshja me PDK-në për koalicion.

“Jo, nuk është lidh koalicioni me PDK-në. Por jemi në negociata, madje edhe të lajmëruar për koalicion, por ende nuk është lidhur”, tha Klinaku.

sipas tij, negociatat do të vazhdojnë edhe të premten dhe pret që kjo të përfundojë në afat të paraparë.

“Po, presim vazhdimin e negociatave edhe nesër dhe besojmë se do të kryhet. Ne që nga fillimi e kemi bërë publike dhe këshilli drejtues i LB-së ka vlerësuar që të jetë koalicion i rregullt parazgjedhor. Probleme tjera nuk kemi”, tha Klinaku.