PDK: Lutfi Haziri po shkel ligjin

PDK’ja në Gjilan thotë se zyrtarë e militantë të LDK’së deri tek Lutfi Haziri kanë bërë shkelje që nga blerja e votës deri tek ndikimi në qendra të votimit.

Lajme

01/12/2013 17:07

Shtabi Zgjedhor i Degës së PDK’së në Gjilan ka raportuar për disa parregullsi gjatë procesit të votimit.

Sipas PDK’së, bazuar në raportimet e zyrtarëve të tyre nga terreni, procesi zgjedhor ka pasur një seri shkeljesh dhe ndërhyrjesh të drejtpërdrejta nga e LDK’së.

Këto ndërhyrje, sipas PDK’së, përpos që po i bëjnë zyrtarët e militantët e LDK’së, po i bën edhe kreu i kësaj të fundit në Gjilan, Lutfi Haziri.

Haziri, sipas vëzhguesve të akredituar të PDK’së, po shkel ligjin e zgjedhjeve me prezencën e tij të vazhdueshme në afërsi të qendrave të votimit në disa qendra votoimi si në fshatrat Zhegër, Llashticë, Lladrovë, Velekincë etj, dhe në qendrat e votimit në qytet për të ndikuar drejtpërdrejt në procesin e votimit.

PDK’ja duke ka sugjeruar LDK’në në Gjilan që të mos e dëmtoj procesin dhe t’i lë qytetarët të bëjnë zgjedhje ka thënë se Haziri po tenton ta kompensojë zhgënjimin e tij duke e evituar humbjen e thellë në këto forma.

Një kërcënim rreth orës 12:00 drejtuar një anëtari të akredituar të PDK’së në njërën prej vendvotimeve në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, nga një anëtar i kryesisë i LDK’së, është një shkelje tjetër e regjistruar.

Po rreth kësaj ore, në Shkollën Fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, është bërë sugjerim i hapur nga një komisioner i LDK’së që ta votojnë Hazirin.

“Ndërsa tek zyra e LDK’së në lagjen “Dardania II”, nga vëzhguesit e akredituar të PDK-së mësohet se ka një organizim nga LDK’ja, ku njerëzit para se të shkojnë në qendrën e votimit, paraprakisht detyrohen të nënshkruajnë në listat e LDK-së në zyrën e kësaj nëndege, ku dyshohet se nënshkruhen për të marrë më pas shpërblimin”, thuhet në njoftimin e shtabit zgjedhor të degës së PDK’së në Gjilan.