PDK: Lufti Haziri shpenzoi 40 mijë euro telefon
Komuna e Gjilanit vetëm për shpenzime të telefonit, ka paguar 56 mijë euro, ku prej tyre janë paguar rreth 16 mijë euro borxhe të kaluara, që do të thotë se janë shpenzuar mbi 40 mijë euro, ndërsa gjatë tërë vitit kryetari i komunës kishte deklaruar se ka zero euro shpenzime për vala.
Lajme
Kështu thuhet në një komunikatë të degës së PDK-së në Gjilan, e cila është ndalur edhe te shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit, ku për akomodim dhe mëditje, janë shpenzuar 26,255.83 euro, ndërsa, vetëm kryetari i komunës ka marr 3,640.28 euro për shpenzime dhe mëditje nëpër vende të ndryshme SHBA, Gjermani, Strasburg, Shqipëri, etj.
Ja komunikata e plotë e Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan:
Në raportin vjetor të punës së kryetarit të komunës për vitin 2014, i miratuar nga Kuvendi Komunal, përveç tjerave ishin paraqitur një numër jashtëzakonisht i madh i të pavërtetave që kryetari i komunës, i kishte bërë para qytetarëve të Gjilanit dhe të Kosovës, duke manipuluar dhe mashtruara me shifra e të dhëna të ndryshme, me qëllim të mbulimit të dështimeve dhe mos punës së institucioneve komunale për gjatë tërë vitit të kaluar.
Për më shumë se një vit kryetari i komunës kishte deklaruar një të pavërtetë të madhe se ka gjetur 10 milionë euro borxhe të trashëguara, tani në raportin e tij të punës e ka pranuar përafërsisht realitetin se ka gjetur 4.1 milionë euro, ndërsa ishin më pak se 2 milionë euro.
Lutfi Haziri kishte deklaruar se për herë të parë janë thyer kufijtë buxhetor për komunën e Gjilanit, për 4.2 milionë euro për vitin 2015. Edhe kjo tani doli e pavërtetë, sepse qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka bërë asnjë rritje të buxhetit komunal, por ka zvogëluar për 1.8 milionë euro buxhetin komunal për investime kapital, pra i janë ndarë Gjilanit vetëm 1.2 milionë euro për investime kapitale, njësoj sa komunës së Leposaviqit.
Të hyrat vetanake u deklaruan se kanë shënuar rritje, ndërsa doli se ka rënie për 600 mijë euro për vitin 2014, mirëpo këtë rënie e kanë mbuluar të hyrat nga gjobat në trafik dhe të gjykatave, që qytetarët e Gjilanit paguan mbi 846 mijë euro për një vit. Vetëm nga ndërtimet pa leje, nuk u realizuan 250 mijë euro të planifikuara, duke e dëmtuar rëndë buxhetin komunal të Gjilanit.
Kryetari i komunës në vazhdimësi është thirrur në “Dietën Buxhetore” në qeverisjen e tij komunale. Mirëpo në raport shihet qartë se në disa kategori ka rënie të shpenzimeve, mirëpo në disa të tjera kishte rritje të mëdha, e që në total ka pasur përafërsisht shpenzime të njëjta. Vetëm për shpenzime të telefonit (vala dhe telefon fiks), janë paguar 56 mijë euro, ku prej tyre janë paguar rreth 16 mijë euro borxhe të kaluara, që do të thotë se janë shpenzuar mbi 40 mijë euro, ndërsa gjatë tërë vitit kryetari i komunës kishte deklaruar se ka zero euro shpenzime për vala. Po ashtu për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit, akomodim dhe mëditje, janë shpenzuar 26,255.83 euro, ku vetëm kryetari i komunës ka marr 3,640.28 euro për shpenzime dhe mëditje nëpër vende të ndryshme (SHBA, Gjermani, Strasburg, Shqipëri etj). Në raportin e tij të punës, ai askund dhe asgjë nuk ka përmendur ndonjë rezultat nga vizitat e tij jashtë vendit, sepse ato kanë qenë private dhe në shërbim të LDK-së, kur në Gjermani kishte qenë me Isa Mustafën për të lidhur koalicion me Hashim Thaçin, ai ka shpenzuar mbi 600 euro për mëditje dhe në hotele të Gjermanisë.