PDK: Komisioni Parlamentar duhet të hetojë lidhjet e Qeverisë me “Kartelin e Rrymës”
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se e konsideron të domosdoshëm formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike në vend, duke ju bërë kështu ftesë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pa dallime partiake, që të mbështesin këtë iniciativë që ka për qëllim kryesor transparencën e plotë para qytetarëve të Kosovës, rreth shpenzimit të mbi 100 milionë eurove nga qeveria aktuale për blerje të energjisë elektrike gjatë krizës dhe shtrenjtimit të saj për qytetarët e Kosovës.

Lajme
Përmes një komunikate për media, PDK-ja ka kërkuar nga presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në, siç e quan PDK-ja, “Kartelin e Rrymës”.
“Krahas hetimit të plotë parlamentar, Partia Demokratike e Kosovës kërkon që presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në “Kartelin e Rrymës”, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij. Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që të ndalojnë pengimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të zbardhë para opinionit publik shpenzimin e parasë së qytetarëve të Kosovës dhe lidhjet potenciale të “Kartelit të Rrymës” me Qeverinë e Kosovës gjatë krizës energjetike”, thuhet në komunikatë, transmeton lajmi.net.
PDK ka deklaruar se një hetim parlamentar, transparent dhe i hapur, ku do të përfshiheshin deputetët e pozitës dhe opozitës, tanimë është interes kombëtar.
“Ky Komision Hetimor Parlamentar do të monitorohet nga ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile dhe mediat, ku të gjithë do të shohin se ku, si dhe kujt u janë dhënë mbi 100 milionë euro të taksave të qytetarëve dhe si ndodhi që krahas shpenzimit të mbi 100 milionë eurove, qytetarëve të Kosovës sërish u ngrit çmimi i energjisë elektrike për më shumë se 100 përqind”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/